Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e sotme duke thënë se ai përgjohet nga Shërbimet Sekrete të brendshëm dhe të huaja.
Meta ka treguar një rast që lidhet me zgjedhjet e 30 qershorit në vendin tonë. Presidenti ka theksuar se gjatë një udhëtimi me avion i kishte telefonuar Gramoz Ruçit, për anulimin e zgjedhjeve, ndërsa ka shtuar se Ruçit i komunikoi vetëm gjërat bazike, pasi sipas tij telefoni i presidentit përgjohej.
Deklaratën e kreut të shtetit të ftuarit në “Log” me Endri Xhafon e cilësojnë si të rëndë, dhe shqetësuese. Juristi Çlirim Gjata u shpreh se Meta duhet të shkojë menjëherë në SPAK dhe të dorëzojë provat apo indiciet nëse i ka.
“Kjo është shumë e rëndë, edhe nëse është vetëm në kuadrin e deklaratës. Kur e thotë institucioni, edhe në kuadrin e merakut është shumë e rëndë për një vend si ne…”
Kurse Artur Zheji u shpreh se do të ishte shumë interesante nëse SPAK do të hapte një çështje për këtë rast. Ndërsa, duke u ndalur tek akuzat dhe kundërakuzat mes presidentit dhe Partisë Demokratike, Shpëtim Nazarko thotë se kryedemokrati Basha po kërkon të krijojë idenë që i di “hallet” e kreut të shtetit.
“Ai kërkon të krijojë idenë që i di të gjitha hallet e tij dhe se po po vepron në përputhje me SHBA. Kritikët e vet kërkon t’i paraqesë si njerëz që kanë probleme me SHBA dhe aludon se ka informacione…”
Ndërsa për Zhejin, figurat politike kryesore në vend prej kohësh tashmë flasin një gjumë me kode.
“Vetëm personi në fjalë i kupton, përdorin fjalë si halle, peng, por asnjë nuk ofron prova, detaje. Kjo është një gjuhë e mbyllur që mbahet qëllimisht e mbyllur.” /abcnews.al/