Pamje fantastike nga një realitet gati i paprekshëm për gjithkënd nga ne, na ka ofruar gjatë këtyre muajve të fundit Parku Kombëtar i Tomorrit.
Kamerat-kurth, të instaluara nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura në Berat në të gjithë Habitatin e Tomorrit kanë filmuar dhe fotografuar kafshët e egra, që si banorët e pyllit bëjnë “paradë”, madje disa prej tyre edhe pozojnë pa vetëdije përpara kamerave.
Mbi 30 lloje gjitarësh janë shfaqur gjatë këtij muaji në Parkun Kombëtar të Tomorrit, mes tyre edhe disa kafshë që prej vitesh nuk ishin parë në pyjet tona. Kafshë të shumta si: ariu i murrmë (Ursusarctos),macja e egër (Felissilvestris),derri i egër (Susscrofa),kunadhja (Martesfoina),dhelpra (Vulpesvulpes),ujku (Canis lupus),kaprollja, gjeli i egër, dhia e egër etj, janë kapur në Habitatin e Parkut Kombëtar të Tomorrit me anë të kamerave speciale, të pajisura me sensorë.
Nëpërmjet këtyre kamerave, janë siguruar video të shumë prej këtyre kafshëve, që rrallëherë janë filmuar kaq nga afër dhe të pashqetësuara.
Drejtori i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura Berat (ADZM) Fatos Nako ka deklaruar se monitorimi i kafshëve është një nga detyrat e tyre primare dhe vendosja e “kamerave-kurth” nxori në pah edhe prezencën e shumë kafshëve të egra të ralla, për të cilat ata ishim informuar se ndodheshin në Habitatin e Ballollit në Malin e Tomorrit nga alpinistët dhe barinjtë e zonës.
Sipas Nakos, moratoriumi i gjuetisë ka bërë që edhe në zonat e mbrojtura në Berat të ketë një shtim të kafshëve të egra gjatë viteve të fundit.
“Është shtuar ariu dhe në disa zona malore ai po dëmton edhe prodhimet bujqësore siç janë misri dhe patatja, ka një shtim të popullatës së derrit të egër, i cili i afrohet më tepër zonave të banuara. Është faktuar tashmë që në Malin e Tomorrit ndodhen 2 kope me mbi 30 krerë me Dhi të egra, njëra në zonën veriore të malit dhe tjetra në zonën jugore, të dyja zona të egra dhe me pak ushqim por me fillimin e lagështirës kemi një ringjallje të bimësisë barishtore e shkurreve që lejojnë mbijetesën e këtyre kafshëve të egra”-ka thënë Nako.
Ai ka deklaruar se, zonat e mbrojtura janë zonat më të mira natyrorë, për sa i përket florës dhe faunës, dhe duke qenë se pjesa më e madhe e këtyre kafshëve janë barngrënëse këto zona favorizojnë jetesën e tyre.
Habitatet që ka qarku i Beratit, siç është habitati i Tërpanit, Faqekuqit dhe Potomit, janë zona mjaft të mira e të pasura me kullota për rritjen e thëllëzës së malit dhe lepurit të egër”-,ka deklaruar Nako. Specialistët e kësaj agjencie rajonale e konsiderojnë Habitatin e Tomorrit si një nga habitatet natyrore më të pasura, për shkak të erës kontinentale dhe faktit se në këtë habitat kemi dy lloje klimash të ndryshme njëkohësisht dhe shira të ndyshueshëm.
Duke e cilësuar Parkun Kombëtar të Tomorrit,me një sipërfaqe prej 26.800 ha, si habitatin më të pasur në vendin tonë, specialistët e AZB-së Berat konfirmojnë se, gjatë këtij viti në këtë park kombëtar, përveç kafshëve të egra ka pasur edhe shumëllojmëri shpendësh të egra, që janë konstatuar më së shumti mbi disa lloje bimore endemike. /abcnews.al/