Basha: “Rama punoi 4 vjet për largimin e investitorëve dhe shqiptarëve”

schedule15:22 - 19 Nëntor, 2017

schedule 15:22 - 19 Nëntor, 2017

Lulzim Basha deklaroi se është mision i pamundur ky që qeveria shqiptare kërkon t’u ngarkojë si barrë ambasadorëve në kuadër të ridimensionimit të diplomacisë ekonomike. Sipas kreut të opozitës, është kryeministri përgjegjës për krijimin e një klime armiqësore për biznesin, ndaj u larguan investitorët, dhe 300 mijë shqiptarë nga vendi.

Kryetari i opozitës deklaroi se është mision i pamundur për ambasadorët që të zhbëjnë atë që shkaktoi Edi Rama në 4 vjet.

“Ambasadorët e kanë mision të pamundur sjelljen e investitorëve të huaj, sepse në 4 vitet e fundit raportet ndërkombëtare flasin vetëm për përkeqësimin e klimës së biznesit, për rritjen e taksave, për korrupsionin e përhapur në çdo nivel të qeverisjes. Sepse tenderat dhe koncesionet përfundojnë në xhepat e 10 klientëve të kryeministrit dhe investitorët e huaj gjymtohen nga kriminelët e lidhur me Ramën dhe Dakot e tij për t’u përzënë nga Shqipëria”.

Sipas Bashës investitorët e huaj do të vijnë në Shqipëri, kur të ketë një qeveri që lufton krimin, hap vende pune dhe iu jep mundësi të gjithëve. Ai akuzoi kryeministrin se ktheu Shqipërinë në hambar droge dhe buxhetin e shqiptarëve në lavatriçe për Pastrimin e Parave të Pista.

“Kryeministri i pashpresë dhe i korruptuar deri në rrënjë, e di se në Shqipëri mund të investojnë apo marrin tendera vetëm ata që pranojnë të dorëzojnë kapar 30- 50% të fitimit tek ai, përmes sejmenëve të tij të kapur në përgjime”.

Asnjë investim serioz i huaj nuk erdhi në Shqipëri gjatë qeverisë Rama dhe se ekonomia sipas tij u mbajt në këmbë nga dy projektet e mëdha energjetike, gazsjellësi Trans-Adriatik dhe Kaskada e Devollit. Pa to niveli i investimeve do të ishte në minimum historik, duke e kthyer vendin 15 vite prapa, tha Basha.

“Ambasadorët e Shqipërisë e kanë mision të pamundur sjelljen e investitorëve të huaj, sepse për shkak të keq qeverisjes së Ramës vendi është në depresion ekonomik dhe social. Rreth 300 mijë shqiptarë të larguar në 4 vjet nga Shqipëria janë prova ulëritëse e këtij realiteti dëshpërues”.

Më herët një reagim i ngjashëm erdhi dhe nga nënkryetarja demokrate e komisionit të ekonomisë. Jorida Tabaku në përgjigje të deklaratave të ministrit Ahmetaj në konferencën e ambasadorëve, tha se qeveria pranoi se asnjë investim i huaj nuk ka ardhur në Shqipëri. Por fajin, sipas saj, nuk e kanë ambasadorët por taksat e larta, dhe sistemi i korruptuar fiskal./abcnews.al

 

https://youtu.be/t4VhNg8kw0k