Visar Mehmeti, deputet i zgjedhur në Serbi, ka deklaruar se do të jetë këmbëngulës në ngritjen e çështjeve të shqiptarëve në Parlamentin serb, duke theksuar nevojën për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
Mehmeti u shpreh se gjatë 14 viteve të fundit, çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka shënuar regres.
Duke folur për angazhimin e tij në Parlamentin serb, i cili ka 250 ulëse, Mehmeti theksoi se nuk do të ndihet inferior dhe se do të angazhohet për realizimin e objektivave të tij.
Mehmeti gjithashtu theksoi se mbetet të shihet nëse koalicioni gjithëpërfshirës do të arrijë të gjejë gjuhën e përbashkët për çështjet me rëndësi për shqiptarët.
“Fillimi i rënies së Vuçiqit ka nisur dy vite më parë me rënien e një mburoje të stacionit hekurudhor në Novi Sad. Më pas nisën protestat, u shtuan dhe tani erdhi kulmi.
Në Luginë ka pasur ndryshime negative. Në 14 vite nuk është shtyrë çështja e shqiptarëve përpara, vetëm kemi pasur regres. Dje është parë më qartë që në Medvegjë vetëm 219 shqiptarë kanë mundur të votojnë.
Kemi një koalicion gjithëpërfshirës dhe të shohim a do ta gjejmë gjuhën e përbashkët.
Parlamenti serb ka 250 ulëse, mirëpo, qëkur i kam hyrë kësaj gare, kam qenë i vendosur të mos ndihem inferior në Parlamentin e Serbisë. Ndaj duhet t’u qasem atyre objektivave, duke i ngritur çështjet e njohjes së diplomave e shumë të tjera. Do të jemi këmbëngulës në Parlamentin serb.”


