8 vite në skaner, Xhepa në “ABC”: “Progresivja” goditi shtresën e mesme, s’u mbajtën premtimet

schedule20:23 - 19 Janar, 2021

schedule 20:23 - 19 Janar, 2021

Selami Xhepa, ekspert i njohur i fushës së ekonomisë i ftuar mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ në “ABC” përballë gazetares Jonida Shehu për të bërë një analizë të dy mandateve të qeverisjes socialiste, u shpreh se kabineti i drejtuar nga Edi Rama nuk i ka mbajtur premtimet.

Gjatë bisedës në studio, Xhepa mori një shembull konkret. “Duhen dhënë disa llogari. E para me akcizën e naftës për fermerët, mbrojtja e bujqësisë është një cështje që ka pasur një premtim pse nuk është mbajtur, ka pasur një premtim 10 mln dollarë, pse nuk është mbajtur?

Në vlerësimin tim që kam bërë për qeverisjen e PS-së që kur ka ardhur në pushtet, kam thënë se ka ide shumë racionale dhe një nga ato që kam mbështetur ka qenë fokusi te bujqësia, por ai program nuk është zbatuar fare” tha ai.

Por cfarë ndodhi me të punësuarit? “Në tetë vite janë krijuar 65 mijë vende punë, 10 mijë në sektorin publik dhe administratë” tha Xhepa. E ndërsa rritjen e borxhit publik e cilësoi si problematike, duke u ndalur te pagat, ai tha se “Në termat realë marrim sa 10 vite më parë”.

Në momentin që erdhi në pushtet, qeveria socialiste vendosi taksën progresive, por cili është bilanci pas 8 viteve, cila shtesë u dëmtua më shumë dhe cfarë përfitoi ekonomia? “Po ta shikojmë në trajektoren historike, nuk mund të qeverisim me mandate elektorale duke të shikojmë ciklin, nuk ka më justifikime. Nuk mendoj se ka mundësi për të bërë tolerime.

Në cdo 4 vjet thirremi për të gjykuar për të shkuarën e një qeverisje dhe programin për të ardhmen. Qytetarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për votën që hedhin në kuti ditën e votimit. Për të votuar duhet të shikojmë programet elektorale.

Në këto 8 vite kaluam nga taksat e ulëta në një sistem me taksa më të larta. Por a ia vlejti? Kishim 27% të PPB të ardhura dhe aq kemi edhe tani. Ishim në një barrë më të ulët, tani jemi më të lartë, ndërsa jemi me të njëjtin rendimet. Nuk janë taksuar më pasurit, por ata që marrin paga më të larta” tha ai

Por a shkatërroi taksimi progresiv klasën e mesme? “Absolutisht po. Klasa e mesme e lëviz ekonominë. Fashën e zhvillimit e ndryshon shtresa e mesme. Sistemi i taksimit progresiv përpiqet që të mbrojë të varfrit, ka një rritje të konsumit të shtresat e varfra, por që është 2%, shumë e vogël.

Nuk e ka ndihmuar ekonominë, shtresën e mesme e ka ndikuar negativisht. I gjithë ky presion fiskal nuk ka shkuar te të pasurit, që paguajnë divident që po ashtu ua ulëm, as te të varfrit, por shtresa e mesme. Kishim 27% të ardhura, kemi 27% të ardhura”.

Por cfarë po ndodh me rritjen ekonomike? “Rritja ekonomike vitet e fundit ka ardhur në rënie. Nga 2008 ka qenë kriza e madhe, nga 2010 ritmet e rritjes nga 1% u rritën në 4%, por ndodhën edhe 2 goditje të tjera”.

Ndalur te programet elektorale në prag të zgjedhjeve, eksperti theksoi se “Unë kërkoj një qeverisje transparente, të përgjegjshme dhe që koncesionet nuk i jep në zyra të mbyllura. Njerëzit po ikin nga Shqipëria se nuk shohin një qeverisje të përgjegjshme” përfundoi ai./ db/Abcnews.al