8 persona kanë mbetur të lënduar nga shpërthimi i një sasie tritoli në Shkodër. Dyshohet se objektivi i atentatit ka qenë Lulzim Kulla , një biznesmen me precedentë penalë.
Shkodranët u zgjuan në fundjave të alarmuar.
Në lagjen “Rus e njohur ndryshe edhe si Merkata pati një shpërthim të fuqishem.
Në fillim u mendua për një bombul gazi, por më pas policia njoftoi se kishte ndodhur një shpërthim me lëndë eksplozive.
Pasojat janë 8 të plagosur, biznese dhe mjete të shkatërruara.
Shënjestër e atentatit dyshohet se ishte Lulzim Kulla. Mesohet se tritoli ishte vendosur në një motoçikletë dhe në momentin, kur Kulla po hipte në makinë eksplozivi shpërtheu.
Ai mbeti i plagosur rëndë dhe po merr ndihmën mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë së bashku me dy të tjerë. Kurse 5 të lënduarit më lehtë janë në Shkodër.
Dëshmitarë në vendngjarje ishin edhe një grup xhirimit i televizionit shtetëror malazez.
Ekipi i gazetarëve kishte ardhur për të përgatitur një reportazh mbi Shkodrën dhe shtetasit nga Mali i Zi që vijnë në këtë qytet për tregti. Gazetarja Marija Kaleziq tregon momentin e shpërthimit.
Marija Kaleziq- Gazetare nga Mali I Zi: “Ne erdhëm nga Mali i Zi për një reportazh me tregtarët këtu. Në momentin që ishim duke biseduar me tregtarët dëgjuam një shpërthim të madh. U përhap panik , njerëzit iknin nga të gjitha anët, pamë të plagosur, gjak, kështu edhe ne ikëm me vrap. Dikush tha më pas se shpërtheu bombula e gazit, por më vonë u mor vesh se kemi të bëjmë me eksploziv.
Kulla është pronar i objektit dy katësh pranë të cilit ndodhi shpërthimi. Një grup hetimor po heton për të shkuarën e biznesmenit . Ai njihet si person me precedentë penalë. Në qershor të vitit të kaluar, Kulla u arrestua nga policia për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit, në Shkodër. Ai u lirua pas gjashtë muajsh qëndrimi në burg. Policia ka sekuestruar pamjet filmike të bizneseve aty pranë, të cilët mund të kenë filmuar momentin e vendosjes së lëndës eksplozive. Në komisariat u shoqëruan disa persona për t’u marrë në pyetje dhe janë ngritur pika kontrolli për të kapur autorët./abcnews.al
Gazetar ABC News, Shkodër: Simon Shkreli