Sondazh

Mali i Zi një hap drejt BE. Mendoni që do ta pasojë edhe Shqipëria?

Loading ... Loading ...
 

450 Metra mbi det, me frymën pezull! Fiona Rushiti bën histori dhe synon rekord botëror

schedule12:53 - 28 Prill, 2026

schedule 12:53 - 28 Prill, 2026

Në studion e ABC-së së Mëngjesit ishte akrobatja Fiona Rushiti, e cila ka hyrë në histori si shqiptarja e parë që realizon një performancë spektakolare në 450 metra lartësi mbi detin Jon. Shfaqja e saj mbi qiellin e Himarës u kthye në një moment magjik, ku adrenalina, arti dhe guximi u bashkuan në një akt të rrallë.

Fiona tregoi se ideja për këtë projekt kishte qenë e saja, në një moment kur madje kishte menduar të largohej drejt Italisë. Por një kontakt me Alket Islamin ndryshoi gjithçka. “Anulova ikjen dhe lashë çdo gjë për këtë projekt. E doja shumë dhe mendoj se doli një kryevepër”, u shpreh ajo.

Përgatitjet nuk kanë qenë aspak të lehta. Ajo rrëfeu se është stërvitur nga alpinistët e Rock Tirana, duke mësuar nga zero teknika krejtësisht të reja. “Nuk dija as ku kapeshin litarët. Gjithçka ishte një test”, tha Fiona, duke treguar sfidat e mëdha që ka kaluar.



Momenti i fluturimit ka qenë më i vështiri emocionalisht. Akrobatja pranoi se kishte frikë mos një gabim i saj dëmtonte imazhin e të gjithë ekipit. “Kam qenë gjithë kohës në stres, por e mbaja veten. Aty kam derdhur lot, që të mos i shprehnja para grupit”, tregoi ajo me emocion.

Sfida nisi nga maja e Shashicës më 26 prill dhe përfundoi me sukses, duke sjellë një performancë unike që sfidoi kufijtë fizikë dhe mendorë. Publiku mbeti pa frymë teksa Fiona solli një akt të mrekullueshëm me sytë nga qielli dhe zemrën pezull mbi det.

Por kjo duket se është vetëm fillimi. Fiona Rushiti zbuloi se tani po punohet për një rekord botëror, me projekte edhe më të mëdha në lartësi, me parashutë dhe sfida ekstreme si varja nga flokët, dhëmbët dhe heqja e rripit të sigurisë. Shqipëria mund të jetë shumë shpejt në hartën botërore të akrobacisë ekstreme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!