36 herë Juventus: “Diktatura” bardhezi në Serie A vazhdon! Sarri në histori

schedule23:47 - 26 Korrik, 2020

schedule 23:47 - 26 Korrik, 2020

Dominimi i Juventusit në Itali vazhdon dhe bardhezinjtë fituan titullin e 36-të në histori. Djemtë e Sarrit mposhtën 2-0 në fushën e tyre ekipin e Sampdorias dhe u shpallën kampionë Italise dy javë përpara fundit të kampionatit.

LEXO EDHE: VIDEO/ Skema perfekte, Ronaldo gjen golin dhe afron Juven me titullin

Titulli i nëntë radhazi për “Zonjën”, diçka që s’e ka realizuar askush më parë në Serie A. Juventusi barazon rekordin e Dinamo Kiev (Ukrainë) dhe Celtic (Skoci). Vetëm gjashtë klube evropiane kanë bërë më mirë: Sheriff Tiraspol (10 tituj radhazi në Moldavi), Dinamo Tbilisi (10 tituj radhazi në Gjeorgji), Dinamo Zagreb (11 tituj radhazi në Kroaci), Rosenborg (13 tituj radhazi në Norvegji), Lincoln (14 tituj radhazi në Gjibraltar) dhe Skonto Riga (14 tituj radhazi në Letoni).

LEXO DHE: VIDEO/ Juventusi shënon golin e qetësisë dhe titullit, zhbllokohet Bernardeschi

Një rekord edhe për Maurizio Sarrin. 61-vjeçari provoi për herë të parë emocionet e shpalljes kampion dhe bëhet trajneri më i vjetër që ka fituar Serie A, një rekord që është vendosur që në vitin 1983, kur Nils Liedholm triumfoi me Romën.

LEXO EDHE: Rekordi i vendosur që në vitin 1983, Sarri e thyen me titullin e parë

Rikthehemi te ndeshja. Cristiano Ronaldo realizoi golin e parë pas një skeme perfekte në bashkëpunim me Pjanic në minutën e shtatë shtesë. Goli i 31-të për yllin portugez, i cili kishte mundësinë të shënonte sërish në minutat e fundit, por gaboi nga pika e penalltisë.

Goli i dytë u realizua nga Federico Bernardeschi, i cili gjeti golin e parë në Serie A për këtë sezon. Festë e merituar për ekipin e Juventusit, që do të fokusohet te triumfi në Champions League në muajin gusht, trofeu që mungon prej 24 vitesh në Torino. /abcneës.al

Juventus-Sampdoria 2-0
(Ronaldo 45+7′, Bernardeschi 67′)