TIRANË- Kryetari i PS, Edi Rama, në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste në Tiranë, u shpreh se arsyeja e fitoreve të kësaj partie është aftësia e saj për t’u hapur te njerëzit.
Ai u kërkoi socialistëve të mos humbasin lidhjen me njerëzit.
“Nga Gramozi, unë dua të kaloj tek ata që askush nuk i përmendi, se të gjithë thonë socialistë në tërësi, por që janë arsyeja bazë e të gjitha sukseseve tona elektorale, që janë patronazhistët e PS. Patronazhistët e PS janë ata që bëjnë, në fakt e kanë bërë dhe e bëjnë, atë që Gramozi bën me të gjithë familjen socialiste, por e bëjnë me atë numër të vogël njerëzish që kanë në kujdestarinë e tyre.
Unë e çmoj punën e të gjithëve, por mbi të gjitha e çmoj punën e patronazhistëve. Patronazhistët janë anëtarët e kësaj familjeje, qe më punën e tyre derë më derë dhe me kontaktet e tyre me njerëzit që kanë në patronazh, garantojnë atë që pikërisht atë që Gramozi kërkoi sot nga të gjithë: mos humbni lidhjet me njerëzit!
Një nga arsyet e fitores së PS është aftësia për t’u hapur dhe aftësia për t’u hapur buron në kohë: është një nga ato shënimet në ADN e PS, qysh nga momenti i lindjes së saj”, tha Rama.
Kryesocialisti veçoi aftësitë që sipas tij e diferencojnë Partinë Socialiste në krahasim me partitë e tjera, përfshirë dhe subjektet reja.
“PS nuk doli si produkt i një krenarie për atë që linte pas, por doli si produkt i një reflektimi lidhur me atë çfarë vinte përpara dhe për këtë arsye, asnjë parti tjetër e krijuar në Shqipëri, lerë ata “honxho bonxhot”, që medemek janë akoma kundërshtarët tanë, por asnjë parti tjetër e krijuar në Shqipëri, as paritë e reja, nuk e kanë dot atë që ka PS në ADN e vet, që vjen nga ajo ditë nga dita e ndarjes dhe e rilindjes për t’u hapur.”, theksoi ai./abcnews.al


