Hakmarrja mbetet pista kryesore ku janë përqendruar hetimet për ekzekutimin e 40-vjeçarit Aleksandër Koçeku, mbrëmjen e së shtunës në Dukagjin.
Koçeku u qëllua me breshëri automatiku teksa lëvizte me automjet në aksin rrugor Kir–Prekal, në drejtim të Shkodrës. Autorët dyshohet se e kanë ndjekur dhe i kanë ngritur pritë në një segment të izoluar të rrugës, duke përfituar nga terreni i vështirë malor dhe mungesa e ndriçimit.
Pas atentatit, autorët kanë mundur të largohen pa lënë gjurmë. Mungesa e kamerave të sigurisë përgjatë këtij aksi rrugor është një nga vështirësitë kryesore për grupin hetimor në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Në vendngjarje janë gjetur 25 gëzhoja automatiku, të cilat dyshohet se i përkasin të njëjtës armë zjarri. Viktima është konstatuar brenda automjetit nga një kalimtar i rastësishëm.
Aleksandër Koçeku ishte vëllai i Artan Koçekut, i cili në dhjetor të vitit 2017 vrau me armë zjarri Angjelin Shkambin. Sipas hetimeve të asaj kohe, konflikti mes tyre lidhej me një çështje pronësie dhe një raport intim që Shkambi kishte pasur me motrën e familjes Koçeku.
Pikërisht kjo ngjarje e mëparshme është një nga pistat ku po hetojnë autoritetet për atentatin e fundit.
Sipas të afërmve, Aleksandër Koçeku lëvizte me kujdes për shkak të frikës nga një hakmarrje e mundshme dhe punonte në një furrë buke në qytetin e Shkodrës.
Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë edhe pista të tjera. Koçeku ka qenë person nën hetim në dosjen për vrasjen e 19-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2025, ndërsa Prokuroria e Shkodrës vijon hetimet për atë çështje.
Sipas organit të akuzës, Koçeku dyshohej se kishte rol në planifikimin dhe realizimin e kësaj vrasjeje, së bashku me persona të tjerë, por hetimet për këtë dosje janë ende në vijim.

