Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se marrja e të dhënave të të gjithë udhëtarëve kur fluturimet me Italinë ishin të lejuara dhe jo të pezulluara, shërbejnë në këtë kohë, për të identifikuar rrugëtimin që ka bërë një person që mund të rezultojë sot me koronavirus.
“Lëvizja ka qenë e lirë, personat kanë ardhur të shëndetshëm dhe pa shenja. Ne që në fillim kemi kërkuar skedat e udhëtarëve me numrat e kontaktit. Ato janë marrë për këtë ditë, jo për atëherë. Që nëse një person del i prekur, të vlerësonim skedën e tij për të zbuluar historikun e udhëtimit edhe vendin nga vjen. Të gjithë udhëtarët plotësojnë skedën në hyrje, vetëdeklarimi është i detyrueshëm në kufi. Në momentin që hyjnë qytetarët plotësojnë këtë skedar dhe në rast se vijnë nga zona të infektuara detyrohen të rrinë në vetëkarantinim derisa të kalojë një periudhë 14 ditore. Nëse kanë shenja pastaj do t’i drejtohen institucioneve shëndetësore”, tha Rakacolli.
Sa i përket kapaciteteve shëndetësore për të përballuar një fluks të mundshëm të prekurish, Rakacolli sqaroi se për të përballuar COVID 19 janë dhënë 400 mln lekë shtesë. Ajo foli për një plan të qartë masash si dhe për pajisjen me sa më shumë respiratorë.
Ndonëse janë 12 të prekur në karantinë, në Infektivit e QSUT ndodhen aktualisht vetëm 3 persona, të tjerët janë vetëkarantinuar në shtëpitë e tyre./abcnews.al