Investimet e kryera në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor në Tiranë kanë rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve ndërkohë kanë ulur kohën e pritjes. Konstatimi vjen nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili inspektoi rikonstruksionin e kryer në sallën e regjistrimit të mjeteve.
Radhët dhe abuzimet që vijnë prej tyre në Drejtorinë e Transportit Rrugor në Tiranë janë shmangur. Koha për të marrë një shërbim është shkurtuar, ndërkohë që disa prej tyre kanë kaluar online.
Reagimin e qytetarëve pas investimeve të kryera, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri , e sheh edhe në platformën e bashkëqeverisjes me ta.
“Pata mundësinë të kontaktoj dhe me qytetarë për të parë edhe për të konfirmuar atë që themi që shërbimi nuk është i përmirësuar, nuk shohim asnjë problem. Në platformën e bashkëqeverisjes nuk ka më ankesa”, tha Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Transportit Rrugor inspektuan punën në sallën e rikonstruktuar për regjistrimin e mjeteve për të cilën janë investuar rreth 12 milionë lekë.
Drejtori Isaraj bëri të ditur gjithashtu se ka marrë zgjidhje edhe problemi lejeve të drejtimit të mjeteve. Bllokimi i prokurimeve publike për afro tre muaj bëri që shumë qytetarë të mos pajiseshin me patenta.
“Për një muaj kjo drejtori ka prodhuar 40 mijë copë. Kemi ardhur në këtë sallë, ku asgjë nuk mungon për qytetarin dhe kur është arritur të shërbehet, të shërbehet për 20 minuta”, tha Isaraj.
Reforma e nisur në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor dhe në zyrat kryesore në Tiranë, Vlorë, Fier e Elbasan ministri Gjiknuri deklaroi se gradualisht do të shtrihet në të gjithë vendin. Paralelisht me investimet do të vijojnë dhe trajnimet për stafin./abcnews.al