Zyrtari i lartë i DASH takohet me Ramën

schedule18:35 - 8 Prill, 2019

schedule 18:35 - 8 Prill, 2019

Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë Metju Palmer ka mbërritur në Tiranë në një klimë të tensionuar politike.

Agjendën e takimeve me zyrtarët e lartë shqiptarë zyrtari amerikan e ka nisur me Kryeministrin Edi Rama. Bashkëbisedimin me të shefi i qeverisë përmes një komenti në Twitter e ka cilësuar të frytshëm.

Për rreth 1 orë e 40 minuta ai ka zhvilluar një takim me Kryeministrin Edi Rama. Ndërkohë që zhvillohej takimi, në Kryeministri u panë të hyjnë disa ministra të qeverisë Rama, të cilët besohet se janë bërë pjesë e takimit Rama-Palmer.

Temë e takimit, sikurse informoi vetë kryeministri Rama nëpërmjet rrjetit social Twitter, ishin marrëdhëniet dypalëshe, situate politike në vend, por edhe dialogu serbi-Kosovë.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi evropian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Mathew Palmer”, shkruan Rama.

Mesditën e nesërme Palmer do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi. Ndërsa më pas, pritet që zyrtari i larte amerikan te takohet në Presidence me kreun e shtetit Ilir Meta.

Në agjendën e tij, Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Metju Palmer ka planifikuar dhe një takim me një grup gazetarësh.

Palmer vjen në Shqipëri në kuadër të një turi në Ballkan ndërkohë që e gjen vendin tonë në një situatë të tensionuar politike.

Opozita mban më 13 Prill protestën e radhës. Kryeministri Rama është shprehur kategorik kundër kërkesës së opozitës për qeveri tranzitore, duke theksuar se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në vitin 2021./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!