Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço deklaroi se ndalimi i katër zyrtarëve nga Maqedonia e Veriut për të hyrë në Shqipëri është bërë për shkak të dyshimeve për ekstremizëm.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, ai u shpreh se po hetohet pista që këta persona kanë marrë financime të dyshimta nga Lindja e Mesme, për të mbështetur aktivitete dhe protesta në vendin tonë. Sipas tij, paratë depozitohen në disa shoqata në Maqedoninë e Veriut.
“Ky nuk është rasti i parë, janë paralajmëruar herë pas here nga ana e institucioneve tona mbi veprimtarinë e tyre. Për një prej tyre dyshohet se merr financime nga disa vende jo mike me Shqipërinë, për të aktivizuar elementë ekstremistë në Maqedoninë e Veriut. Elementë ekstremistë që kanë ardhur dhe kanë qenë pjesë e protestave në Shqipëri. Dy herët e fundit, disa prej tyre janë shpallur non grata. Njëri madje me pasaportë amerikane nga Maqedonia e Veriut. Kanë dhënë edhe deponimet e tyre. Nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me protestën, por me aktivitet të vazhdueshëm të disa prej elementëve ekstremistë fetarë në Maqedoninë e Veriut, të financuar nga para të dyshimta, nga Lindja e Mesme, depozitohen në disa shoqata në Maqedoninë e Veriut.
Karamuço vuri në dukje faktin se në RMV ka frymë urrejtjeje ndaj shqiptarëve. Ai tregoi se ambasadori shqiptar në Shkup ka qenë në shënjestër të sulmeve huligane.
Para disa javësh, ambasadorit tonë i kanë dashur të hyjnë në banesë, i kanë helmuar qenin, kanë shkatërruar me veprime huligane dhe të dhunshme makinën e ambasadës në mes të Shkupit, në një takim zyrtar. Ndërkohë që ambasadori ynë ishte jashtë, megjithëse makina kishte flamur shqiptar, është shkatërruar nga disa persona të maskuar. Këto duhet të na shqetësojnë ne”.
Deputetja e PS-së, Sara Mila, u shpreh e keqardhur që në situata të tilla shqetësuese të përfshihen zyrtarë shqiptarë./abcnews.al



