Kryeministri Edi Rama ka folur për investimin në Zvërnec, gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët.
Sipas Ramës, patriotizëm nuk është të refuzosh investimet e huaja, por të rrisësh të ardhurat e vendit.
Rama deklaroi se investime si në Zvërnec, rrisin ekonominë.
“Edhe për atdhetarinë dhe patriotizmin nuk është patriotizëm të refuzosh investimet e huaja. Patriotizëm është të rrisësh kapacitetin ekonomik të vendit dhe të rrisësh volumin e të ardhurave në xhepin e pensionistëve, në xhepin e atyre që i shërbejnë shtetit dhe, patjetër, edhe në xhepin e bizneseve. Patriotizëm nuk është të mjaftohesh me çfarë është arritur sot, sepse nëse Shqipëria do të mjaftohet me turizmin që ka arritur sot, Shqipëria do të bjerë në një tjetër hendek, në hendekun ku kanë rënë vendet që kanë mbetur peng i turizmit masiv.
Turizmi masiv na ka dhënë një dorë të jashtëzakonshme për të hapur fjalën në mbarë planetin që ky është një vend ku ia vlen të vish, ky është një vend ku ka mikpritje, ky është një vend ku ka bukuri natyrore.
Por turizmi masiv vjen edhe me probleme, me probleme që fillojnë nga rritja e stresit të sistemit për të mbledhur plehra dhe për të përpunuar mbetje, te stresi që krijohet në të gjithë infrastrukturën dhe, pa diskutim, pastaj edhe te fakti që e gjithë energjia që vihet në dispozicion për të përballuar këtë volum të madh, nuk përkthehet në një efektivitet të ardhurash.
Vijnë shumë njerëz dhe konsumojnë pak për atë masë që vjen. Ne na duhen më pak njerëz dhe më shumë para këtu. Por, që të vijnë më pak njerëz dhe të lënë më shumë para këtu, ne na duhet të kemi infrastruktura mikpritjeje të një niveli tjetër, sepse ata njerëz që lënë shumë para, duan një nivel tjetër.
Tani, gjithfarëlloj sharlatanësh, gjithëfarëlloj delirantësh, gjithëfarëlloj dështakësh që janë sprovuar në skenën publike dhe që kanë akumuluar një mllef shumë të madh, sepse iu duket se dështimi i tyre është për fajin tim dhe për fajin e qeverisë sonë, bëjnë teorira dhe i hedhin popullit gjithfarëlloj aguridesh se këto resorte luksi janë vetëm për ata që vijnë dhe shqiptarët janë jashtë sistemit.
Kjo është një çmenduri, sepse ato janë “fabrika” që krijojnë lëvizje në ekonomi. Ato nuk janë sisteme të mbyllura ku vijnë njerëzit, futen dhe ikin e s’i sheh njeri. Mund të mos i shohin, por ama e gjithë ekonomia rreth e rrotull vihet në lëvizje, sepse ato “fabrika”, në thonjëza, por faktikisht ashtu janë, kanë nevojë për gjithë sistemin e prodhimit, kanë nevojë për fermerët rreth e rrotull, kanë nevojë për gjithë prodhimet vendase, kanë nevojë për gjithë sistemin e transportit rreth e rrotull, kanë nevojë për gjithë ata që peshkojnë, për të gjithë ata që rrisin dhe trajtojnë gjënë e gjallë e kështu me radhë.”, theksoi ai./abcnews.al



