Nga Linda Karabaku
Zv/ ministri i Shëndetësisë në Maqedoni, Ilir Hasani në një intervistë për emisionin “Ballkan” u shpreh se vendi po përballet me një situatë të vështirë nga koronavirusi, pasi spitalet janë të mbushura në kapacitete maksimale. Fajin për rritjen e numrit, ai e gjen te të rinjtë, që sipas tij u grumbulluan në pub-e.
“Ne po përballemi me një fluks në rritje të pacientëve të infektuar dhe simptoma klinike të covid-19 dhe po mbushen kapacitetet që kemi. Në princip bëhet maksimumi për më tepër shtretër dhe resurseve për të përballuar një valë të dytë, që e kemi pritur, por jo kaq sa po na godet.
Në fund të shtatorit kishte një numër të madh njerëzish që vizitonin këto pub-et ose baret në qendër të qytetit. Ne i kemi ndaluar me rekomandimet. Këto janë një ndër arsyet, momentet kryesore të cilat i kemi identifikuar, se kanë rritur numrin dhe shpërndarjen e madhe të këtij virusi në popullatë. Klinikat tona dhe spitalet tona janë të mbushura. Unë shpresoj që kjo është vetëm një fazë kalimtare” deklaroi ai.
Ndërkohë që Shaban Memeti, kreu i ISHP-së në Maqedoninë e Veriut u shpreh se mos-respektimi i standardeve është bërë shkak për rritjen e rasteve me covid 19. “Kemi një rikthim të rasteve pozitive me covid 19 si pasojë e frekuencës së rritur të njerëzve, kthimit nga pushimet, po gjëja kryesore është nga mos-respektimi i masave apo rekomandimeve të dhëna nga institucionet shëndetësore, publike” tha ai./ db/Abcnews.al