Zjarret në zonat pyjore në periferi të Berlinit vazhdojnë për të katërtën ditë, por autoritetet gjermane paralajmërojnë se mund të duhet ende kohë, deri në shuarjen e tyre. Qindra zjarrfikës janë vendosur në zonë, por erërat e forta po pengojnë përpjekjet e tyre për të shuar flakët.
Zjarri filloi të enjten dhe kërcënoi tre fshatra në shtetin e Brandenburgut, jashtë Berlinit. Banorët e tre qytezave u zhvendosën tek të afërm apo qendra strehimi.
Rreth 600 zjarrfikës të mbështetur nga helikopterë po luftojnë me zjarret, rreth 50 kilometra jashtë kryeqytetit gjerman. Situata është vështirësuar edhe nga fakti që në këtë zonë besohet se ka ende nën tokë municone të pashpërthyera që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.
Autoritetet lokale thanë se kishte patur disa shpërthime. Ky zjarr është cilësuar si më i madhi në Gjermani në dekadat e fundit./abcnews.al