Zjarri në fabrikën e bojërave/ Evakuohen banorët e zonës, në vendin e ngjarjes forca zjarrfikëse të Tiranës e Durrësit, devijohet kalimi

schedule23:30 - 23 Shtator, 2023

schedule 23:30 - 23 Shtator, 2023

Pak minuta më parë një fabrikë bojërash është përfshirë nga flakët në autostradën Tiranë – Durrës, në zonën e quajtur Maminas.

Në një lidhje telefonike, gazetarja e ABC News, Xhensila Kodra raporton se nuk ka persona të lënduar dhe se në fabrikë kanë qenë vetëm rojet që kanë njoftuar edhe autoritetet.

Paraprakisht dyshohet se shkak mund të jetë bërë një shkëndijë elektrike, ndërsa po punohet që zjarri të mos përhapet në bizneset pranë.

LEXO EDHE: Përfshihet nga flakët fabrika në autostradën Tiranë – Durrës, ministria e Brendshme bën thirrje të shmanget aksi rrugor

Po ashtu mësohet se autoritet kanë evakuuar banorët e zonës, pasi pranë fabrikës ka edhe disa shtëpia banimi.

Në një reagim, Ministria e Mbrojtjes njofton se në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat zjarrfikëse nga Tirana dhe Durrësi, por po ashtu në ndihmë kanë shkuar edhe nga Baza e Mbështetjes  dhe Emergjencat Civile.

Reagimi i ministrisë së Mbrojtjes:

Mjete zjarrfikëse dhe forca nga Tirana e Durrësi, me ndihmë edhe nga Baza për Mbështetjen e Emergjencave Civile janë angazhuar për shuarjen e zjarrit me përmasa të mëdha në një fabrikë bojrash, në autostradën Tiranë-Durrës, në Maminas.

Një grup specialistësh nga Kapaciteti Kombëtar i Kimisë është gjithashtu në terren për të bërë matjet dhe për të qenë në gatishmëri.

Me të gjitha kapacitetet në terren, për të shmangur rrezikun për qytetarët dhe banesat pranë.

U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet drejt autostradës deri në qetësimin e situatës!

Po ashtu policia në reagimin e saj njofton se kalimi në aksin rrugor do të bëhet në rrugën dytësore. Aksi kryesor është bllokuar nga të dyja akset për të shmanguar rrezikun e kalimtarëve.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Informacion paraprak

Në autostradën Durrës-Tiranë, në Maminas, është përfshirë nga flakët një fabrikë bojrash.

Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.

Shërbime të shumta policie të DVP Durrës dhe grupe të FNSH Tiranë kanë evakuuar në një objekt, qytetarët që ndodheshin në lokalin afër fabrikës.

Në momentin që ka rënë zjarr, brenda në fabrikë nuk ka patur punonjës, por vetëm rojet të cilët kanë qenë në ambientet e jashtme të fabrikës. Nga përhapja e flakëve nuk ka asnjë person të dëmtuar.

Për çështje sigurie do të bllokohet përkohësisht autostrada Durrës-Tiranë dhe lëvizja do të devijohet në rrugët dytësore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!