Setit i Parkut Arkeologjik të Apolonisë i është rikthyer normaliteti, pasi zjarri që përfshiu zonën pasditen e së martës u vu plotësisht nën kontroll pa shkaktuar dëme në pasuritë kryesore kulturore.
Drejtoresha e Parkut Arkeologjik Apoloni, Ornela Dyrmishi, bëri me dije se qendra monumentale, manastiri dhe muzeu arkeologjik kanë mbetur të paprekura nga flakët, falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse, stafit të parkut, emergjencave civile dhe mbështetjes nga ajri me helikopter nga Ministria e Mbrojtjes.
“Sot jemi rikthyer në normalitet pas një lloj pengese për vizitorët edhe dita u mbyll me normalitet, por për vizitorët pa asnjë lloj impakti sepse ishim gati në fund të ditës. Sot jemi duke bërë inventarët e situatës, të territorit të djegur.
Fatmirësisht kemi një territor i cili nuk është prekur, qendra monumentale, manastiri me muzeun arkeologjik. Supozohet që kjo zonë gjithmonë do të ishin të paprekura, por duke parë situatën e djeshme që era ishte jashtëzakonisht e fortë dhe e papërballueshme, dhe nga forcat zjarrfikëse, dhe nga stafi i parkut, dhe nga emergjencat civile, po njëkohësisht falënderojmë shumë edhe Ministrinë e Mbrojtjes për helikopterin që solli në mënyrë të menjëhershme”, tha ajo.


