Zjarret në jug të Francës kanë zbuluar një depo me 400 predha dhe municione historike në fshatin Le Porge, sipas autoriteteve lokale.
Shpërthimet gjatë zjarreve, që fillimisht mendoheshin se ishin shpërthime bombolash gazi, mund të kenë qenë eksplozivë të Luftës së Dytë Botërore të shpërthyer nga nxehtësia, sipas komandantit të zjarrfikësve lokalë.
“Më shumë se 100 shpërthime u dëgjuan natën e dytë të zjarrit”, tha kryebashkiaku Martial Zaninetti për agjencinë franceze të lajmeve France Info, duke e krahasuar atë me “tingullin e luftës”.
Operacionet e çminimit kanë bërë që shumica e banorëve të kthehen në shtëpitë e tyre, megjithatë kryebashkiaku ka thënë se disa zona janë ende të ndaluara.
Më shumë se 180 shtëpi në zonë u shkatërruan nga zjarri.
“Kishte depo municionesh të varrosura në tokë brenda komunës sonë, por ne nuk e dinim dhe ato shpërthyen”, tha Zaninetti.
Armët historike ishin si gjermane ashtu edhe franceze dhe përfshinin predha mortaje dhe predha antitank, raportuan mediat franceze.
Zbulimi i tyre vjen pasi një zjarr pyjor shkatërroi zonën e Girondës, e cila tani është vënë nën kontroll pasi digjej për rreth 10 ditë.
Zjarret kanë përfshirë të gjithë Evropën gjatë dy javëve, kryesisht në Francë dhe Spanjë, ku u evakuuan më shumë se 330,000 njerëz.
Franca ishte një nga rajonet më të prekura, me një sipërfaqe prej 42,000 hektarësh të djegura në jugperëndim, duke e bërë atë një nga zjarret më të mëdha pyjore që nga Lufta e Dytë Botërore.


