Mbi 1 mijë persona në bordin e një trageti në ujërat grekë kaluan momente tmerri ndërsa mjeti i tyre lundruese mori flakë. Fatmirësisht të gjithë personat në bord u zbritën të sigurtë dhe pa dëmtime në portin e Pireut.
Një traget pasagjerësh me 1.016 njerëz në bord u kthye në mënyrë të sigurt në portin e Pireut në Greqi në orët e para të së mërkurës pasi në të ra një zjarr gjatë rrugës për në Kretë. Kjo është konfirmuar nga roja bregdetare greke. Nuk pati njoftime të menjëhershme për të lënduar, tha një zyrtar i rojes bregdetare. “Eleftherios Venizelos”, që mbante 875 pasagjerë dhe 141 pjestarë të ekuipazhit, po lundronte nga ishulli i Hydra kur njoftoi autoritetet rreth mesnatës se një seksion në parkingun e makinave kishte marrë zjarr.
Mjeti lundrues i ANEK Lines u shoqërua për në Pire, pasi autoritetet përdorën ajrin dhe detin në zonë për të mbajtur nën kontroll flakët. “Ishte një operacion i madh dhe çdo gjë shkoi siç ishte planifikuar”, tha Nikos Lagdianos, zëdhënës i rojes bregdetare. Dy anije zjarrfikëse, 48 zjarrfikës dhe dy ekipe të reagimit emergjent u përfshinë në operacion. Në Pire një dëshmitar pa pasagjerë në xhaketa shpëtimi duke ecur poshtë një shkallë anësore, ndërsa tymi vijonte të dilte nga anija. Zjarrfikësit vendosën një skelë në afërsi të tragetit.
Njerëzit publikuan fotografi në mediat sociale të individëve të veshur me xhaketa shpëtimit që ishin mbledhur në kuvertë.
“Ishte e vështirë të merrje frymë nga tymi,” tha një pasagjer.
Një tjetër bëri me dije se kishte dëgjuar një “zhurmë të madhe” para se udhëtarët të këshilloheshin të vishnin xhaketat e shpëtimit dhe të shkonin në zonat e sigurta. Zbarkimi i të gjithë pasagjerëve përfundoi rreth orës 7.00 të mëngjesit. Udhëtarët u vendosën në hotelet lokale nga operatori i trageteve, ndërsa një anije zëvendësuese pritet të hyjë në shërbim për të vijuar rrugën. Shkaku i zjarrit nuk është i qartë, por autoritetet po hetonin mundësinë që mund të kishte filluar nga një automjet. Në anije kishte më shumë se 200 automjete, duke përfshirë edhe kamionë./abcnews.al