Video/ Zjarr në Pyllin e Semanit në Fier, digjet masivi me pisha

schedule13:31 - 23 Gusht, 2018

schedule 13:31 - 23 Gusht, 2018

Më shumë se dy hektarë me pisha u shkrumbuan në pyllin e Semanit në Fier. Për të vënë situatën në kontroll u desh ndihmë me zjarrikëse edhe nga bashkitë e tjera, ndërkohë që Ushtria futi në operacion një helikopter.

Duket se zgarat e pushuesve pranë pyllit i vune flakën Semanit. Më tepër se dy hektarë me pisha u shkrumbuan brenda një kohe të shkurtër. Flakët rrezikuan gjithë masivin, por zjarrfikëset shkuan në kohë.

Aty ku vala e zjarrit ishte edhe më e fuqishme u përqendruan forcat. Të ndihmuar nga banorët përreth u mundësua që brenda dy orëve flakët të lokalizoheshin. Prefekti i Fierit, Baki Bala, ishte vetë në operacion.

Dhe pse në zonë nuk ka banesë, ai u bëri thirrje njerëzve të qëndronin larg pyllit.

“I bëjmë thirrje të gjithë popullatës që në këto ditë të nxehta duhet që të kemi një vëmendje të shtuar që të paktën faktorin njerëzor ta eleminojmmë nga të gjithë këto pasoja që janë të dëmshme për të gjithë shoqërinë”, tha prefekti Bala.

Por pavarësisht nga forcat tokësore, autoritetet vendore kërkuan ndihmë nga ajri.

Në orën 16:00 të kësaj të enjte, Ministria e Mbrojtjes njoftoi për futjen në operacion të Cougar FA i pajisur me kovat e posaçme me kapacitet 2500 litra ujë. Nuk vonoi dhe situata u vendos në kontroll.

Flakët fillimisht përfshinë disa shkurre dhe më pas edhe pisha, kryesisht të reja, por nuk kanë shpëtuar edhe ato 50-vjeçare.

Në ndihmë të zjarrfikësve të Fierit shkuan edhe nga Roskoveci e Patosi.

Një vit më parë në këtë pyll u shkrumbuan rreth gjashtë hektare pisha dhe u rrezikuan shumë të tjera./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!