KOSOVË- Këtë të mërkurë, janë betuar 118 deputetët të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës.
“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”, thuhet në tekstin e betimit.
Teksti i betimit u nënshkrua personalisht nga deputetët.
Aktualisht do të procedohet me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit në dy pikat e fundit të rendit të ditës.



