TIRANË– Për herë të parë, kryeministri Edi Rama ka sqaruar vendimin për zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës në Tiranë.
Sipas tij, kjo lëvizje, nuk ka lidhje me situatën e drejtimit të këtij institucioni, por një plan tjetër afatgjatë, Kadastra tërësisht online. Ai paralajmëroi se njëjtë do të veprohet edhe me institucione të tjera.
“U ngatërrua qëllimisht ose më falni idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët. Ky, nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit.
Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ndërkohë, ajo që po punojmë për ditë pa pushim është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra, jo më aplikim online dhe pastaj marrje mbrapsht të shërbimit me postë, por aplikim online dhe marrja e shërbimit menjëherë po aty online”, tha Rama.
Një nga vendimmarrjet më të rëndësishme të kësaj jave për kryeministrin, ishin dëmshpërblimet e zjarreve të verës për 15 bashki, në total një shifër 3.5 milion euro.
“Është bërë një punë shumë e detajuar dhe është krijuar më e rëndësishmja, e gjithë korniza për të bërë të mundur që dëmshpërblimi të shkojë aty ku duhet dhe cilido që është dëmtuar të marrë atë që i takon”, u shpreh ai. Rama u ndal edhe tek rritja e buxhetit të mbrojtjes, duke siguruar se tashmë Shqipëria jo vetëm po bën detyrat brenda shtëpisë, por është më korrekte sa duhet edhe ndërkombëtarisht.
“Me buxhetin e mbrojtjes për vitin 2026, i cili e ka tejkaluar objektivin bazë të shpenzimeve për mbrojtjen, duke shkuar mbi 2% të prodhimit të brendshëm bruto, pra mbi atë pragun standard të NATO-s, që është edhe pragu standard për të gjitha vendet anëtare.
Ky nivel shpenzimesh tregon, jo thjesht një shifër që është më e lartë se sa pragu, as një angazhim thjeshtë për të shpenzuar, por tregon edhe një qasje proaktive ndaj detyrimeve tona, jo vetëm ndërkombëtarisht, por edhe për të zhvilluar një industri të re të mbrojtjes”, theksoi kryeministri.


