Zhdukja e dokumenteve të Kadastrës, prokuroria e Tiranës nis hetimet

schedule15:31 - 21 Qershor, 2022

schedule 15:31 - 21 Qershor, 2022

Prokuroria ka nisur hetimet në Kadastrën e Tiranës. Hetimi vjen pasi, kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame bëri të ditur pak ditë më parë se gjatë një kontrolli kanë konstatuar dëmtime të shumta në regjistrat e pronave. Lame tha se mijëra faqe janë zhdukur dhe qindra janë dëmtuar.

Lexo edhe: Abuzimet në Kadastër, Lame: Në regjistrat e Tiranës mungojnë mijëra faqe, përgjegjës çdo ministër e kryeministër

Organi i akuzës njofton se hetimet kanë nisur për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Zhdukjes dhe vjedhjes se dokumentave” për humbjen apo dëmtime të tjera të regjistrave të kadastrës.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Tiranës nis kryesisht hetimet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Zhdukjes dhe vjedhjes se dokumentave” për humbjen apo dëmtime të tjera të regjistrave të kadastrës Tiranë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, duke marrë shkas nga deklaratat e bëra në mediat e shkruara dhe audiovizive nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Z. Artan Lame, lidhur me humbjen apo dëmtime të tjera të faqeve të regjistrave të kadastrës, për zonat në zhvillim të Tiranës si Farka, Ndroqi, Shën Gjergji etj, ka filluar kryesisht, hetimet duke regjistruar procedimin penal nr. 4807 datë 21.06.2022, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Zhdukjes dhe vjedhjes se dokumentave”, parashikuar nga neni 248 dhe 192/a i Kodit Penal, pa autorë të dyshuar.

Lidhur me faktet e sipërpërmendura Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është e angazhuar maksimalisht që të hetojë në drejtim të zbulimit dhe vënies përpara përgjegjësisë penale të çdo zyrtari apo personi të përfshirë në veprimtari të kundraligjshme në dëm të interesave të ligjshme te qytetarëve apo shtetit.

g.v/abcnews.al