Në përfundim të fazës konsultative në komisionin e reformës zgjedhore, duket se janë hedhur piketat për draftin mbi të cilin pritet vendimmarrje politike. Janë pikërisht këto ndryshime, por edhe të tjera të pretenduara nga palët parlamentare dhe ato brenda grupeve, të cilat pritet të ndryshojnë mënyrën si shqiptarët zgjedhin se kush i përfaqëson.
Ndryshimet elektorale të pritshme nga puna e komisionit të reformës zgjedhore, në përfundim të tryezave konsultative, duket se po strukturohen mes rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por edhe pretendimeve të ardhura nga eksperienca e deritanishme.
“Na kërkohej nga OSBE që reforma zgjehdore të bazohet mbi studim të shëndoshë të problematikës dhe këtë kemi përmbyllur. Tani e tutje futemi në fazën e draftimit”, shprehet Oerd Bylykbashi.
Diskutimi se çfarë është e nevojshme apo jo të ndryshohet për zgjedhjet e ardhshme, kanë vënë përballë qëndrimet e aktorëve politik të mazhorancës dhe opozitës, por edhe atyre brenda grupit parlamentar të kësaj të fundit.
“Do desha që përpara se të shkojmë në komision dhe të shohim një dashuri të re PS-PD të kishim një kuptim të përbashkët sepse beteja do jetë e përbashkët, nuk do kishte kuptim ndryshe, është e domosdoshme”, thotë Fatmir Mediu.
Për aleatët demokrat, problemi është i dukshëm dhe i njëjtë.
“Ky sistem zgjedhor propocional rajonal nuk bën të zgjidhen njerëzit direkt me votë”, sipas Agron Duka.
“Mënyra si është ndërtuar parlamenti me listë partie e ka reduktuar peshën e parlamentit dhe e ka kthyer në ushtar partie”, thotë Dashamir Shehi.
“Vendosja në karriget e deputetëve jo zgjedhjen e qytetarëve, por zgjedhjen e lidershipit e bën parlamentin përgjegjës jo ndaj qytetarëve, por ndaj lidershipit”, shprehu kreu i republikanëve.
Për zgjidhjen e saj, propozimet janë të shumta, por në thelb mbajnë vulën mazhoritare.
“O një pjesë të zgjidhen direkt dhe pjesa tjetër të korrektohet ose të bëhet një listë e hapur, që t’i japim shqiptarëve të drejtën që përtej flamurit të partisë të mbërrijnë tek individi se sot votojnë listën Rama, listën Basha, listën Meta kaq”, sipas Shehit.
“Të ketë elemente mazhoritar në sistemin e ri zgjedhor, një votues dëshiron të dijë se ku do shkojë vota e tij, jo ta çojë në një subjekt politik dhe subjekti të zgjedhë personin që zgjidhet”, thotë Duka.
“Sistem preferencial të hapur çdo kandidat do angazhohej edhe në eleminimin e efektit të blerjes së votës apo intimidimit. T’i jepet mundësia njerëzve që të kandidojnë”.
Për këtë thonë se kanë marrë dhe premtimin e lidershipit.
“Ne kemi negociuar me zotin Basha dhe na është dhënë fjala që do bëhet çështje e mundur për të ndryshuar sistemin zgjedhor”..
Sot opozita ka dy detyra kryesore thekson Fatmir Mediu, mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe demokracisë përfaqësuese në vend, të dyja të ndodhura nën kërcënim serioz sipas tij.
“Ajo që po ndodh me drejtësinë është katastrofale, shkatërrim i vendit dhe prapë nuk i bën përshtypje askujt. Kjo nuk është demokraci, por banditizëm. E dyta është reforma zgjedhore sepse e drejta ushtrohet përmes mundësisë për të zgjedhur me votë të lirë. Sot ka ardhur koha që opozita të shtrojë zgjidhje të qarta për këtë situatë”.
Pjesë e kësaj zgjidhje pritet pikërisht nga reforma zgjedhore, draftimi i së cilës pritet të mbyllet në muajt e parë të sesionit të ri parlamentar, sipas Oerd Bylykbashkit. Edhe pse i ndërtuar rreth ndryshimeve që prekin pjesën proceduriale të votimit si prioritet i reformës, kjo nuk përjashton, por vetëm shtyn në kohë diskursin mbi sistemin, thekson ai.
“Sapo mbarojmë dispozitat që kanë të bëjnë me standartet e procesit zgjedhor dhe parlamentar, do fillojmë të merremi me çështet e tjera që s’kemi kohë tani ku primare është sistemi zgjedhor”.
Në përfundim të fazës së konsultimit të reformës zgjedhore, identifikimi biometrik dhe votimi elektronik pritet të pilotohen në disa bashki në zgjedhjet vendore të 2019-s. Është themelor një konsensus politik mbi çështet kryesore të reformës, thekson Bylykbashi, si janë financimi i partive politike, shit-blerja e votës, abuzimi me administratën zgjedhore dhe media dhe për këtë kyç është vullneti politik i mazhroancës./abcnews.al