Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Europën, Matthew Palmer ka deklaruar se zgjedhjet lokale në Shqipëri duhet të zhvillohen më 30 Qershor. Në një intervistë për VOA, ai ka theksuar se pakënaqësitë duhet të adresohen në institucionet e vendit pas procesit.
Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Europën, Matthew Palmer ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara njohin 30 Qershorin si datë legjitime për mbajtjen e zgjedhjeve vendore në Shqipëri.
“Ne presim që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor. Shpresojmë që procesi të shkojë mirë dhe të jetë transparent. Pas zgjedhjeve do të formohet Gjykata Kushtetuese dhe palët do të mund të adresojnë atje dhe në institucione të tjera të vendit pakënaqësitë e tyre lidhur me kohën e procesit”, tha Palmer.
Deklaratën e tij, Palmer e ka bërë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, duke konfirmuar linjën e njohur të administratës amerikane sa i takon zgjedhjeve lokale, të shprehur disa herë edhe nga diplomatë të tjerë të Shteteve të Bashkuara./ABC News Albania 24/7