Në takimin e tij përmbyllës të fushatës elektorale në Pogradec, kryeministri Edi Rama u shpreh falë punës së vazhdueshme, Shqipërisë i është dhënë mundësia që për tre vite të mbyllë negociatat.
“Sot ne jemi në të njëjtën shkallë tek pragu i derës me Malin e Zi për të mbyllur negociatat dhe Serbia është pas nesh. Të mos luajmë me fatin tonë siç kemi luajtur në të shkuarën. Të mos vëmë në pikëpyetjeve fatin europian të këtij populli për Mustaqet e Kujtim Gjuzit”, tha ai.
Kryeministri bëri thirrje që më 11 maj shqiptarët të votojnë masivisht numrin pesë, për të realizuar misionin e rëndësishëm siç edhe e konsideron ai, futjen e Shqipërisë në BE.
“Vendi ynë është në Perëndim jo në lindje. Ne jemi europianë dhe vendi ynë është Europë”, theksoi ai, duke shtuar: “Sot jemi këtu me flamurin më të bukur në botë dhe flamurin e ëndrrës sonë shekullore. Jemi këtu për t’i thënë dhe të tjerëve që ky është momenti i shqiptarëve, për të këmbëngulur në dinjitetin tonë europian. Të vendosim për të mos qenë më të huaj në Europë. Dua t’u them të gjithë atyre që janë në emigracion, sidomos në Greqi që tani është momenti që ndërkohë që zarfet pothuajse janë shpërndarë, ata t’i mbushin dhe të vendosin shenjën tek 5 dhe t’i nisin. Për ta 11 maji është shumë konkret. Ata akoma edhe sot, një pjesë e madhe e tyre nuk kanë akoma sigurinë e qëndrimit, akoma atje edhe sot duhet të kenë përsëri problemin që fëmijët e tyre që i çojnë në shkolla të jenë të huaj. Sot është momenti i tyre. E lanë Greqinë me lot dhe me djersë për të një jetë më të mirë për familjet e tyre. Kontribuuan për atë shtet. Ishin shqiptarët që ndërtonin në kohë, sot janë në prag pensioni sepse ajo gjeneratë po shkon drejt moshës së tretë dhe jetojnë me ankthin a do ketë për ta njohje të gjithë kësaj lodhjeje…Për të njohur pensionet e emigrantëve duhen marrëveshje me qeveritë. Arritëm të mbyllim marrëveshjen me Italinë…Marrëveshja e fundit, por më e vështira është ajo me Greqinë. Ne kemi nisur negociatat, por nuk di ta them sa mund të zgjasin…11 maji është një mundësi e re. Nëse mbyllim negociatat dhe hymë në BE të gjithë shqiptarët kudo ku janë do të marrin pasaportën europiane të Shqipërisë”.
Rama nuk i kurseu kritikat për kreun e PD Sali Berisha, duke thënë se kërkon që të marrë zvarrë Shqipërinë.
Gjithashtu drejtuar me një mesazh edhe demokratëve, duke u shprehur se më 11 maj duhet të votojnë për numrin 5 për t’i dhënë fëmijëve të tyre pasaportën europiane.
“U them demokratëve që duhet të bëjnë të njëjtën gjë që bënë socialistët në mars të ’92. Duhet të shkojnë në kutinë e votimit dhe të votojnë për fëmijëve të tyre, që t’u japin pasaportën europiane. Demokratët e zakonshëm duhet të bëjnë edhe një sevap”, tha ai.
/abcnews.al/