Zgjedhjet pranverore/ Deputeti i PD: Data u paracaktua, vota e diasporës ka rëndësi dhe procesi nuk duhet të bllokohet

schedule19:02 - 20 Nëntor, 2024

schedule 19:02 - 20 Nëntor, 2024

Duket se ethet elektorale kanë nisur dhe këto ditë pritet të konfirmohet data zyrtare e zgjedhjeve të pranverës. Ftesës së presidentit Begaj lidhur me konsultimet për datën e zgjedhjeve I është përgjigjur negativisht Partia Demokratike.

I ftuar në “Tirana Live” , deputeti i Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku është shprehur se data e zgjedhjeve ishte parapërcaktuar dhe se kjo situatë la një shije të hidhur.

“Drejtuesi zyrtar I PD ka përgjegjësinë në vendimmarrje dhe në protokoll. Nuk jam në dijeni të një vendimi të tillë. Lidhur me ketë rast kemi pasur një ministër të qeverisë që ka lajmëruar datën e zgjedhjeve, nuk është serioze që të vendosej data dhe të kishte këtë datë diskutimesh. Është jokorrekte dhe mungesë sinqeriteti. Nuk jam partizan i braktisjes, por ngjarja në fjalë lë një shije të hidhur. Presidenti nuk duhet të jetë një shtesë e mazhorancës. Duhej të konsultohej me partitë politike dhe jo të ishte e paracaktuar.”

Deputeti u ndal gjithashtu edhe tek vota e diasporës të cilën e cilësoi si shumë të rëndësishme në proces, ku shprehu gatishmërinë e PD për ta bërë të mundur këtë gjë. Sipas tij, nëse procesi bllokohet, do të thyente marrëdhëniet para zgjedhjeve.

“Nuk do bënte diferencë data 11 apo 4 maj. Kanë një etikë, zgjedhjet dhe qeveria nuk duhet të bëjë investime një muaj para zgjedhjeve ose aktivitete me interes kombëtar. Hynë në ndalimet e kodit zgjedhor gati 6 muaj para zgjedhjeve investimet e mëdha. Në këtë pikëpamje do ishte korrekte që zgjedhjet të kryheshin para kësaj date. Vota e diasporës është element I rëndësishëm. Jam skeptik nëse qeveria do të lejojë të ndodh “defacto” në terren. Mendoj që është delikate dhe që duhet të kërkoj vendimin e të gjithëve. PD është gati që vota e emigrantëve të jetë e mundur. Në rast se bllokohet procesi, janë manovrat e hapura të procesit dhe thyerje e marrëdhënieve të sinqerta para zgjedhjeve. Do të thyente procesin.”

Gjithashtu deputeti Çollaku u ndal edhe tek përgatitjet e PD për zgjedhjet e pranverës ku theksoi se përgatitjet kanë nisur.

“Ka filluar një parapërgatitje, me koordinatorët nëpër qarqe, unë e kam deklaruar që jam pjesë e PD qëkur kam marrë mandatin. PD kaloi një kalvar që solli përçarje, unë nuk kam qenë neutral  dhe sot kam qëndrimin tim. Unë nuk lëviz nga PD edhe pse i qëndroj bindjeve dhe parimeve të mia. Respektoj vendimin e gjykatës, vendimin e shumicës, por bindjet e mia janë bindjet e mia. Jam i gatshëm të kontriboj pa asnjë lloj rezerve në luftën e PD për të realizuar rotacionin politik. Nuk e kam bërë këtë llogaritje nëse do më penalizoj qëndrimi im për të qenë emri im në lista. Çdokush që na ka mbështetur mua apo të tjerë, nuk na braktis.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!