TIRANË- Kryetari i komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka folur për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Kukës, të cilat do të mbahen më 24 shtator. Ai tha se në Kukës janë mbi 45 mijë votues, të cilët mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur kreun e ri të bashkisë.
“Rezultojnë që ky numër 45 946 zgjedhës në listën e zgjedhësve të bashkisë Kukës, të cilët kanë mundësi të votojnë në zgjedhjet e 24 shtator, prej tyre 22 174 janë votues femra, janë 23 772 janë votues meshkuj. Janë 74 qendra votimi në të cilat do zhvillohet votimi në këto, nga këto 72, një qendër është në institucionin e paraburgimit në Kukës”, tha ai.
Ai tha se deri tani janë plotësuar nëntë qendra votimi me shtatë anëtare, ndërsa shtoi se presin propozimet për plotësimin e tyre.
“Ka ndryshuar dhe përbërja e komisioneve të qendrave të votimit. Në 37 qendra votimi, pra në gjysmën katër anëtarë janë të PS, 2 PD dhe një anëtar Partia e Lirisë. Në 37 qendrat e tjera konfigurimi është me 3 anëtarë të PS, 3 nga PD dhe një anëtar nga PL-së. Janë deri tani 9 qendra votim që janë të plotësuar me të shtatë anëtarë, pjesa tjetër me gjashtë anëtarë”, tha ai.
Kreu i KQZ-së iu përgjigj ABC News, duke thënë se propozimet të tjera që nuk janë miratuar kanë probleme në dokumentacion dhe organi që ai drejton po bën verifikimet dhe shqyrtimet e duhura.
“Jemi në pritje të propozimeve shtesë të PD për komisionerët shtesë që ajo ka të drejtë të propozojë për komisionet e qendrave të votimeve, ka sjell 20 propozime në total, nga të cilat kemi miratuar 9 deri tani dhe po i shqyrtojmë 11 propozimet e tjera.”-u shpreh Celibashi.
Sipas Celibashit, zgjedhjet e Bashkisë Kukës do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit mbi 25 milionë lekë.
“Këto zgjedhje do t’i kushtojmë buxhetit 25 457 496 lekë, të cilat në fakt nuk janë para të kërkuara, por në një menaxhim dhe riorganizim të buxhetit të KQZ, pamë që nuk kishte e nevojshme për të kërkuar buxhet shtesë. Ka kursime që e mundësojnë organizmin e këtyre zgjedhjeve”, tha ai./ n.m.abcnews.al