Zgjedhjet në Kosovë | Vetëvendosje fiton zgjedhjet e 6 tetorit

schedule14:00 - 7 Tetor, 2019

schedule 14:00 - 7 Tetor, 2019

13.50 –Vetëvendosje fiton zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë e ndjekur nga Lidhja demokratike e Kosovës. Ndërsa pas 12 vjetësh në pushtet tashmë Partia demokratike e Kosovës pranoi se është në opozitë. Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë ka arritur të fitojë zgjedhjet  parlamentare në Kosovë.

Bazuar në rezultatet paraprake të KQZ-së kjo parti kryeson e pasuar me një diferencë të vogël nga Lidhja Demokratike e Kosovës. E treta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës e cila për 12 vjet me radhë ishte fituese e zgjedhjeve.

Në bazë të këtyre rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje do të ketë në Kuvend 31 deputetë, LDK 30 deputetë, PDK 25 deputetë, AAK-PSD 14 deputetë dhe Komunitetet 20 deputetë.

Pas shpalles së fitores mbrëmë para qytetarëve lideri i kësaj partie Albin Kurti ka thënë se menjehrë do të nis bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës për një koalicion të mundshëm qeverisës.

Ndërsa Vjosa Osmani kandidate për kryeministre nga LDK-ja në një konferencë për media në mesnatë ka thënë se është herët të flitet për rezultatet. Megjithatë kur u pyet për postin e kryeministrit ajo e cilësoi të rëndësishëm faktin se opozita ka arritur të dërgojë  pushtetin e kaluar  në opozitë.

Ditëve në vazhdim pritet edhe numërimi i votave me kusht, atyre me post dhe personave me aftësi të kufizuara në mënyrë që të shpalet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve.

Derisa në qendrën e numërmit dhe rezultateve  sot janë pranuar të gjitha kutitë e votimit nga qendrat e votimeve në gjithë Kosovën.

12.30 –Vazhdon numërimi i votave në Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Deri tani nga të gjitha votat janë numëruar 96,07% e tyre.

Ende Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë me një diferencë prej rreth 0.7 %  ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vetëvendosja ka 25,77%, kurse LDK-ja 25,08%. E treta është Partia Demokratike e Kosovës me 21,17%. Koalicioni AAK-PSD ka marrë 11,63%, Lista Serbe 6,20%.

10.00 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), ka numëruar me shumë se 96 %  të votave.

Sipas të dhënave të KQZ deri tani janë numëruar 2 mijë e 445 qendra votimi apo 96 % e tyre.

Në bazë të këtyre statistikave, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur t’i marrë 198 mijë e 156 vota apo 25,78 për qind të votave.

Në vend të dytë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka arritur t’i mbledhë 192 mijë e 642 vota apo 25,06%, kurse Partia Demokratike e Kosovës (PDK) radhitet në vendin e tretë me 162 mijë e 680 vota apo 21,17%.

Në anën tjetër koalicioni AAK-PSD ka arritur t’i mbledhë vetëm 89 mijë e 380 vota apo 11,63%, kurse koalicioni tjetër, NISMA-AKR ka mbledhur vetëm 37 mijë e 814 vota apo 4,92%./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!