Kë do të kenë kundërshtarë politikë në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit? Përgjigja e kësaj pyetje është kërkuar në tryezën e mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste.
Në drejtimin e kryeministrit, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste, anëtarët e kryesisë kanë diskutuar mbi strategjinë e re që duhet të ndjekin pas tërheqjes së koalicionit të djathtë nga zgjedhjet vendore.
Nuk ndjehen të braktisur pasi në mbledhje kanë arritur në përfundimin se nuk do të jenë të vetëm në 30 Qershor.
E ka thënë shpesh herë kreu i mazhorancës se nuk i zgjedhin ata me të cilët do të garojnë, por këtë herë opozitën do ta gjejnë midis partive që janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në fillim të muajit Maj do të zhvillohet edhe mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste ku pritet të zyrtarizohen edhe 61 kandidatët për kryetarë bashkish. Prandaj nuk kanë kohë për të humbur me negociata e aq më pak t’i tremben paralajmërimeve se zgjedhje nuk do të ketë.
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ishte zëri që përcolli pikat kryesore të mbledhjes me dyer të mbyllura të Partisë Socialiste e cila zgjati rreth 4 orë./abcnews.al