Zgjedhja e Presidentit nga populli? Rama: Temë për Këshillim Kombëtar ose për mbajtje referendumi në të ardhmen

schedule10:28 - 19 Prill, 2022

schedule 10:28 - 19 Prill, 2022

Grupi Parlamentar Socialist ka nisur sot procesin e identifikimit të kandidaturës për Presidentin e ardhshëm të Republikës. Mbledhja është hapur nga kryeministri Edi Rama i cili ndër të tjera foli edhe për mundësinë e zgjedhjes së kreut të shtetit me votë nga populli në të ardhmen.

Kreu i qeverisë tha se në kushtet që jemi aktualisht kjo nuk mund të bëhet por shtoi se si rast do të trajtohet në Këshillimin e ardhshëm Kombëtar apo mund të jetë edhe temë për mbajtjen e një referendumi.

“Procesi nuk mund të mbetet i mbyllur vetëm brenda Grupit Parlamentar. Kemi një komision të përbërë nga kryetari i grupit, ministrja Spiropai e Sekretari i Përgjithshëm për të komunikuar me pjesë të tjera të Kuvendit…Për të hapur një kanal me publikun, gjë që tanimë është bërë. Ka pasur një debat lidhur me pse-në e moszgjedhjes së Presidentit nga populli. Në kushtet që jemi Presidentin/en do ta zgjedhë Kuvendi, po do t’u japim mundësinë njerëzve të shprehen për temën. Por duke përcaktuar disa piketa. Shqipëria mund ta zgjedhë Presidentin e vet nga populli nëse do të ndryshojmë Kushtetutën dhe t’i japim disa instrumente që e bëjnë një figurë të zgjedhur nga populli. Mund të jetë temë për këshillimin e ardhshëm kombëtar, dhe temë për referendum popullor.”

 

Po ashtu Rama tha se është gati ekipi që do të përgatisë ligjin e ri për presidentin po ashtu edhe për sistemin e titujve. Sipas kryeministrit, do të ishte e kotë që këto ligje të votoheshin sa është në detyrë presidenti aktual.

“…Na takon ta bëjmë këtë, edhe ligjin për medaljet. E kemi gati. Do ishte e kotë ta bënim pa u larguar fillimisht presidenti me tonelatat më të mëdha të teneqeve të shpërndara në Shqipëri, qysh se kemi hyrë në Epokën e Bronzit.” /abcnews.al/