“Zero lekë të dhëna për futbollin, s’mund të na zmbrapsin disa burokratë”

schedule23:00 - 26 Dhjetor, 2019

schedule 23:00 - 26 Dhjetor, 2019

Paketa e re ligjore për sportin nuk ka kaluar, ndërkohë që ka edhe një mungesë dakordësie për lehtësirat fiskale që do të ketë për klubet sportive dhe ata që investojnë. Ilir Shulku, në emisionin “Pressing” në ABC News, u bën thirrje klubeve që të bashkëpunojnë, në mënyrë që kërkesat e tyre të pranohen nga qeveria.

“Duka nuk e ka natyrë të dorëzohet. Të gjithë klubet duhet të ngulmojnë dhe të bashkëpunojnë fort, së bashku me FSHF-në, për të marrë nga qeveria premtimet e bëra dhe ndoshta edhe më shumë nga premtimet. Ajo që kërkohet, në buxhetin e qeverisë nuk është ndonjë gjë e madhe. Qeveria doli garant për t’i ndihmuar klubet”.

“Nga ana e Federatës dhe Komisionit të Ligës janë kërkuar gjëra të tjera për të ndihmuar futbollin. Komisioni nga Ministria e Financës ka sjellë gjëra të tjera. Janë në kahe të kundërta ato që kanë sjellë ata dhe kërkesat tona. Nuk mund ta lëmë, ndoshta është pak e rëndë kjo që them, që për disa burokratë në Ministrinë e Financave apo në komisione, të mbetet pas zhvillimi i futbollit”.

“Në fund të fundit ndihma për sportin dhe futbollin është detyrim. Nuk është detyrë vetëm ndihma në infrastrukturë. Kemi propozuar paketat tona dhe nëse miratohen, qoftë edhe në 80%, do jetë ndihmë për klubet. Nuk janë vetëm ekipet e para në mes”.

“Detyra jonë është t’i ndihmojmë klubet të rriten në aspektin financiar. Klubet të rriten edhe pa ndihmën e qeverisë. Ndihma e qeverisë, në vitet e fundit, në futbollin shqiptar ka qenë zero. Kemi bërë investime së bashku. Duhet të ndihmojë edhe te pikat e tjera që thamë.  Ka njerëz që frenojnë, por që hiqen si flamurtar që e duan sportin”. /abcnews.al