Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara presidentin rus Vladimir Putin se është pengesa kryesore për përfundimin e luftës në Ukrainë. Sipas Zelenskyt, lideri rus nuk mund të heqë dorë nga lufta dhe vazhdon të kërkojë hapësirë për të zgjeruar konfliktin.
“Putini nuk mund të jetojë pa luftë. Ai është ‘Pacienti Zero’, ai nga i cili lufta vazhdon të përhapet më tej. ‘Pacienti Zero’ duhet të ndalet. Sa më shumë liri të ketë Putini për të vepruar, aq më e rrezikshme bëhet bota për të gjithë të tjerët. Kjo është arsyeja pse duhet të ndalet. Atij duhet t’i mohohet hapësira për të vepruar dhe për të përhapur më tej këtë të keqe”, tha Zelensky.
Po ashtu sipas Zelenskyt kushdo që bën tregti me Rusinë po jep mundësi për zgjatjen e luftës.
“Sanksionet, paketat e mbështetjes, prodhimi ynë i përbashkët i armëve – të gjitha këto janë të rëndësishme, sigurisht. E gjithë kjo na bën më të fortë. Kur dikush i jep Rusisë më shumë para përmes tregtisë, i jep kësaj lufte më shumë kohë”, shtoi ai.
Presidenti ukrainas ka deklaruar gjithashtu se, nga janari deri në gusht, ushtria ruse ka humbur rreth 249 mijë persona në fushëbetejën në Ukrainë. Ai ka pretenduar se këto shifra mbështeten edhe nga materiale filmike që, sipas tij, dokumentojnë humbjet ruse.
Në përfundim të fjalimit, Zelensky ka akuzuar Rusinë për mungesë respekti ndaj sovranitetit të shteteve të tjera dhe ka paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar për pasojat që, sipas tij, mund të sjellë zgjerimi i konfliktit dhe i ndikimit rus përtej kufijve të Ukrainës.

