Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Zëdhënësi Michael Doyle: Specialja ka juridiksion mbi krimet e pretenduara në Kukës dhe Has

schedule21:42 - 9 Dhjetor, 2020

schedule 21:42 - 9 Dhjetor, 2020

A është Gjykata Speciale një gjykatë mono-etnike? Zëdhënësi i Gjykatës Speciale Michael Doyle shprehet për “Ballkan” se Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk u krijuan për të gjykuar një grup etnik apo organizatë të veçantë.

Gjykata, sipas tij,  mund të mbajë përgjegjës vetëm persona për krime të kryera prej tyre si individë, dhe nuk do të mbajë përgjegjës një grup etnik, organizatë apo komunitet.

Qëllimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës nuk është të rishkruajë historinë, e as të kundërshtojë ndonjë narrativë historike të caktuar, u shpreh Doyle.

Po ashtu, tregon nëse “shënjestra” kryesore e Speciales janë të gjithë anëtarët e strukturës komanduese të ish-UÇK-së.

INTERVISTA E PLOTË

BALLKAN: Pse ishte e nevojshme të kishte dhoma të specializuara, të përqendruara në krimet e pretenduara të kryera vetëm nga anëtarët e një grupi etnik?

Michael Doyle: “Dua të jem i qartë se Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk u krijuan për të gjykuar një grup etnik apo organizatë të veçantë. Gjykata mund të mbajë përgjegjës vetëm persona për krime të kryera prej tyre si individë, dhe nuk do të mbajë përgjegjës një grup etnik, organizatë apo komunitet. Qëllimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës nuk është të rishkruajë historinë, e as të kundërshtojë ndonjë narrativë historike të caktuar.

Po të shikojmë konkretisht aktakuzën më të madhe të paraqitur aktualisht para gjykatës, ajo u referohet qindra viktimave që ishin civilë e persona që nuk merrnin pjesë në luftime dhe vinin nga disa grupe të ndryshme etnike. Dhe për këto krime akuzohen individë në bazë të përgjegjësisë penale individuale.

Si gjykatë, puna jonë e vetme është të kryejmë procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, në të cilat garantohen të drejtat e të akuzuarve dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedura, si dhe mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve dhe viktimave.”

BALLKAN: Pothuaj të gjithë anëtarët e strukturës komanduese të ish-UÇK-së janë marrë në pyetje. A po shënjestroni UÇK-në si e tërë?

Michael Doyle:  “Jo. Sikurse thashë më herët, Gjykata mund të mbajë përgjegjës vetëm persona për krime të kryera prej tyre si individë dhe nuk do të mbajë përgjegjëse grupe etnike, organizata apo komunitete. Kjo do të thotë se mund të gjykohen persona që kanë planifikuar, nxitur, urdhëruar ose ndryshe ndihmuar në kryerjen e krimeve të luftës apo të krimeve kundër njerëzimit brenda kuadrit kohor dhe fushëveprimit gjeografik të mandatit të gjykatës. Këtu përfshihen edhe eprorë që nuk kanë parandaluar ose ndëshkuar kryesit e krimeve që ishin vartës të tyre. Korniza ligjore e së drejtës ndërkombëtare në lidhje me krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit nuk thotë se është krim të marrësh pjesë në një konflikt apo të mbrosh veten. Krimet e pretenduara kanë të bëjnë me krime kundër civilëve dhe personave që nuk marrin pjesë në luftime.

Deri më tani e dimë se një gjykatës i procedurës paraprake ka shqyrtuar me mijëra faqe prova dhe dëshmi të mbi 150 dëshmitarëve dhe ka konfirmuar se aktakuza dhe materialet mbështetëse mbështesin një dyshim të bazuar mirë se janë kryer krime të rënda nga individë dhe se viktima të atyre krimeve ishin civilë dhe persona që nuk merrnin pjesë në luftime.

Qëllimi i proceseve para gjykatësve është që përmes një gjykimi të drejtë dhe garantimit tëtë gjitha të drejtave ndërkombëtare të një procesi të bazuar në ligj, të përcaktohet nëse Prokuroria mund të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm se individë kryen krime. Qëllimi nuk është të rishkruhet historia.

Gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës do të sigurojnë që proceset para kësaj Gjykate të kryhen në një mënyrë që garanton mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve, respektimin e dinjitetit të viktimave dhe mbrojtjen e dëshmitarëve.”

BALLKAN: Ka pasur debate lidhur me mandatin e Dhomave të Specializuara, nëse ka skaduar apo jo. Kur prisni të përfundojë puna, gjykimet? Cili është komenti juaj për këtë?

Michael Doyle: Ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës përcakton se mandati i DHSK-së dhe ZPS-së vazhdon deri sa Kosova të njoftohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian për përfundimin e hetimeve dhe të procedurave para Dhomave të Specializuara. Rrjedhimisht, për vazhdimin e mandatit nuk nevojitet kurrfarë veprimi, formaliteti apo njoftimi tjetër.

Në vendimin e vet të fundit, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese konfirmoi se teksti i Kushtetutës është e qartë lidhur me këtë pikë. Si çështja Prokurori i Specializuar Salih Mustafës, po ashtu edhe çështja Prokurori i Specializuar k. Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, janë aktualisht në fazën e procedurës paraprake.

Gjatë kësaj faze, Gjykatësi i Procedurës Paraprake cakton afatet dhe planin e punës dhe lëshon urdhra dhe vendime për të garantuar përgatitjen e duhur dhe të shpejtë të çështjes për gjykim. Gjykatësi i Procedurës Paraprake gjithashtu merr vendime mbi mocione paraprake, si për shembull mbi mocione për kundërshtimin e aktakuzës, të paraburgimit, apo të juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ai gjithashtu mund të marrë vendime mbi pjesëmarrjen e viktimave në procedura dhe mbi çështje që lidhen me mbrojtjen e dëshmitarëve.

Një pjesë tjetër e rëndësishme e fazës së procedurës paraprake është procesi i nxjerrjes së provave. Për të pasur gjykim të drejtë, Mbrojtja duhet të ketë qasje në provat që do të përdoren kundër të akuzuarit në gjykim. Ky aspekt rregullohet përmes një procesi në të cilin Prokurori i Specializuar duhet t’i vërë Mbrojtjes në dispozicion të gjitha provat mbi të cilat e mbështet çështjen e vet.  Nëse Mbrojtja zgjedh të paraqesë një alibi apo arsye të tjera që përjashtojnë përgjegjësi penale, edhe ajo duhet t’i vërë Prokurorit të Specializuar në dispozicion provat mbi të cilat e mbështet pretendimin e vet.

Në çështjen Prokurori i Specializuar ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, në séance e fundit përgatitore të mbajtur në nëntor, Mbrojtja dhe ZPS-ja paraqitën mendime të ndryshme në lidhje me kohëzgjatjen e mundshme të përgatitjeve për gjykim.

ZPS-ja vlerëson se gjykimi mund të fillojë në një datë më të hershme, përkatësisht rreth qershorit 2021, kurse avokatët mbrojtës sugjerojnë se mund të nevojitet shumë më tepër kohë, të paktën deri në qershor 2022.

Në këtë fazë, data e fillimit të gjykimit ende nuk është caktuar. Prandaj, është e pamundur të parashikohet se kur do të përfundojë gjykimi.

Ajo që mund të them është se të gjitha gjykimet do të kryhen prej gjykatësve në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur, në përputhje me parimin e procesit të bazuar në ligj dhe standardet më të larta ndërkombëtare, që do të çojnë në vendime të nxjerra vetëm mbi bazën e provave dhe fuqinë provuese të argumenteve të paraqitura nga Prokuroria dhe Mbrojtja.

Në fund të gjykimit, një panel i përbërë nga tre gjykatës do të marrë vendim në lidhje me secilën akuzë nëse fajësia e të akuzuarit është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm. Po kështu, i akuzuari do të ketë të drejtën që të apelojë aktgjykimin para një paneli të Gjykatës së Apelit, dhe në rrethana të caktuara, edhe të drejtën e apelit në shkallë të tretë para një paneli të Gjykatës Supreme. 

BALLKAN: A keni mandate që mbulon edhe Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?

Michael Doyle: Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë juridiksion mbi krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit të cilat ose janë kryer apo nisur në Kosovë midis janarit 1998 dhe dhjetorit 2000 , ose, në alternativë, kryesi apo viktima janë nga Kosova ose ish-Republika Federale e Jugosllavisë. Për shembull, në konfirmimin e aktakuzës kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve, në lidhje me krimet e paraqitura në aktakuzë që pretendohet të kenë ndodhur në territorin e Shqipërisë, përkatësisht në rrethin e Kukësit dhe Hasit, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstaton se DHSK-ja ka juridiksion mbi ato krime duke qenë se të dyshuarit janë të lindur në Kosovë dhe pretendohet se ishin shtetas të RFJ-së gjatë gjithë periudhës kohore që lidhet me Aktakuzën. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!