Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë në kërkim për vrasjen e një 34-vjeçari grek, në orët e para të 1 janarit në qendër të Serres në Greqi.
Sipas informacioneve, në dosjen e ngritur për rastin me akuzën e vrasjes me dashje në bashkëpunim, përfshihen katër meshkuj, tre shtetas të moshës 30, 28 dhe 27 vjeç dhe një shtetas shqiptar 29 vjeç. Për momentin 27-vjeçari dhe 29-vjeçari janë arrestuar ndërsa dy të tjerët janë në kërkim.
Shqiptari i arrestuar është identifikuar si Liridon Gushali alias Liridon Hoxha, 29 vjec nga Durrësi. Ngjarja ka ndodhur pak pas orës 5 të mëngjesit në pedonalen e Serres. Pas një debati mes katër autorëve dhe viktimës, ata e kanë goditur për vdekje me thikë, duke i shkaktuar dy plagë në anën e majtë të trupit, konkretisht në brinjë dhe në ije.
Ndonëse viktima është dërguar me autoambulancë në spitalin e Serresit, pak kohë më vonë ka lënë frymën e fundit. Në vendngjarje policia ka sekuestruar edhe 6 gëzhoja nga një pistoletë manovër.
Si ndodhi ngjarja
Viktima ka dashur të hyjë në një lokal nate me dy shokë të tjerë. Në portën e lokalit ka qenë njëri prej autorëve, i cili ka refuzuar hyrjen e grupit, për pasojë ka pasuar fillimisht një konflikt verbal. Grupi i viktimës është larguar dhe pas rreth një ore supozohet se kanë lënë një takim me grupin e autorëve, ose kanë pritur mbylljen e lokalit, sepse janë takuar sërish, këtë herë në një rrugicë ngjitur me pedonalen kryesore të qytetit.
Në vetëm pak minuta u ndez sherri dhe gjatë përleshjes njëri prej tyre, ndoshta vetë truproja i lokalit, nxori një thikë të tipit ushtarak dhe arriti të godiste dy herë viktimën, njërin prej tyre në arterien femorale. Në fakt, sipas burimeve të policisë, një tjetër person nga grupi i autorit ka qëlluar me pistoletë manovër në ajër.
Sipas të dhënave të para, viktima ka qenë ndoshta nën ndikimin e alkoolit kur ka shkuar për të hyrë në lokalit, ndërsa po hetohet nëse autorët punonin aty apo kanë qenë klientë.
34-vjeçari është baba i dy fëmijëve, ndërsa gruaja e tij është shtatzënë me fëmijën e tretë. Sipas informacioneve, 34-vjeçari ishte banues në Lefkona. Banorët e zonës flasin për një familjar të qetë./abcnews.al