Besimtarët myslimanë janë futur në muajin më të rëndësishëm të këtij besimi, ai i Ramazanit. Për të folur për këtë moment të veçantë ishte i ftuar në “Mbrëmje në Abc” me Mirela Milorin, drejtori i Medresesë së Tiranës, Ali Zaimi.
“Ramazani është periudha që besimtarët e presim me një gëzim të madh. Profeti shprehet se kush e agjëron Ramazanin me besim, duke pritur shpërblim nga Zoti i falen mëkatet. Një besimtar përpiqet që gjatë këtij muaji, me lutje, të përfitojë nga kjo “amnisti” që Zoti ka sjellë në këtë muaj”, u shpreh ai.
Më tej Zaimi rrëfen se si po përjetohet ky muaj kaq i rëndësishëm në një kohë Pandemie, ku besimtarët janë të detyruar të ruajnë distancimin social, ndonëse kjo periudhë në një situatë normale do të kishte një tjetër atmosferë.
“Është e mbushur me një pikëllim të madh për besimtarët myslimanë. Ky muaj i karakterizon besimtarët me një gumëzhinë, me një atmosferë të jashtëzakonshme, qoftë me xhamitë që tejmbushjen, takimet në iftare, bisedat e gjata. Atmosfera është ndryshe, por këtë vit është pamundur se detyra qytetare, obligimi i distancimit social, është një detyrim shumë i madh dhe i vështirë për tu përmbushur. I detyron ta pëjetojnë individualisht. Megjithatë vlerat e saj nuk bien se sevapet merren. Përjetimi është i vështirë që të përmbushet në ato dimensione që të japë atë vlerën e vërtetë”, deklaroi Zaimi.
Ai thotë më tej se është teknologjia ajo që po u vjen në ndihmë besimtarëve në këtë periudhë.
“Teknologjia na ndihmon shumë. Leximi i Kuranit, organizohen tubime të ndryshme online tani, shpejgojmë teologë të ndryshëm. Organizohen takime online dhe tashmë teknologjia është bërë shumë ndihmuese për të përcuar mesazhin, qoftë sensibilizues, qoftë detyrimet që ka besimtari këtë muaj”, shtoi Zaimi, ndërsa dha edhe një mesazh: “Unë uroj që kjo kohë të shërbejë si një lutje kolektive për të gjithë njerëzit e të gjithë besimeve që ta kalojmë. Dhe të përfitojmë një mënyrë sa më të mirën”./abcnews.al