Me siguri që përkrahësit e “teutonëve” duhet të jenë të lumtur. Futbollistët e kombëtares së Gjermanisë morën një vendim tepër humanist për të ndihmuar tifozët që të udhëtojnë për ndeshjen e tretë në grup në Botëror, atë ndaj Ekuadorit.
Kapiteni Xhoshua Kimih me shokë do të paguajnë koston e transportit për 600 spektatorë nga vendi I tyre që do të ndjekin sfidën kundër ekuadorianëve në stadiumin “Metlajf” në Ist Radhërfort të Nju Xhersit.
Kostot e transportit me autobusë dhe me tren në Nju Jork dhe Nju Xhersi janë tepër të larta, ndaj edhe lojtarët e trajnerit Julian Nagelsman nuk ngurruan për të marrë këtë nismë.
Guvernatori I Nju Xhersit deklaroi se çmimet e transportit u rritën shumë pasi FIFA nuk pranoi të subvenciononte udhëtimin e tifozëve.
Situata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por sidomos në Nju Jork, është në kontrast të plotë me atë që ndodhi në Rusi në 2018 dhe në Katar në 2022, kur transporti për spektatorët e Kupës së Botës ishte falas.
Gjermania ndodhet në grupin E të Botërorit dhe do të luajë fillimisht ndaj Kurasaos në Hjuston në 14 qershor, pastaj ndaj Bregut të Fildishtë në 20 qershor dhe kundër Ekuadorit në 25 qershor.


