Alban Xhaferi është sponsori i ri i Vllaznisë, një lajm që gëzon tifozët shkodranë. Ardhja e tij ka pasur ndikim te kuqeblutë, të cilët kanë luajtur shumë mirë në ndeshjet e fundit. Mbrëmjen e kaluar morën një fitore shumë të rëndësishme kundër Kukësit (1-0), rezultat që zyrtarizoi fitimin e titullit nga Tirana.
Vllaznia e vendit të tretë nga fundi, përfitoi nga humbja e Bylis dhe tani është vetëm dy pikë larg ekipit ballshiot. Objektivi i madh është evitimi i vendit të tetë, pozicion që të dërgon në “play-out” (me fituesin e çiftit Pogradeci-Besëlidhja).
Xhaferi foli pas ndeshjes në një prononcim për mediat, aty ku vlerësoi suksesin e ekipit të tij, uroi bardheblutë për titullin dhe shprehu bindjen se kampionët e rinj të Shqipërisë do të luajnë pastër deri në fund (presin Bylis në javën e fundit).
“Me të thënë të drejtën u kënaqëm, e filluam më këmbë të mbarë. Shpresoj të vazhdojmë në këtë rrugë, është shumë e rëndësishme. Kjo e motivon skuadrën dhe e sjell në pozita të barabarta me dy skuadrat e tjera që kemi ndeshjet pasardhëse.
Si me Partizanin dhe ndeshjen e fundit. Tirana? Matematika kështu i doli, ne i urojmë Tiranës suksese për titullin që e siguroi, po e quajmë në Shkodër tani. Urojmë që Tirana të luajë deri në fund dhe të respektojë garën. Unë jam optimist se Tirana do të luajë të gjithë ndeshjet deri në fund.
Ne do t’ia bëjmë hyzmetin, kjo është më e rëndësishme. Skuadra ka rritje, që në ndeshjen me Skënderbeun ka pasur një rritje shumë cilësore. U pa në këtë ndeshje që arritëm fitoren, unë jam i bindur që skuadra do të luajë me shpirt gare për të arritur fitore“, përfundoi Alban Xhaferri. /abcnews.al