Një ditë pas grabitjes së parave në Rinas, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi se do të vendosen forca ushtarake për të ruajtur sigurinë e aeroportit “Nënë Tereza”.
Në një konferencë për mediat, Xhaçka theksoi se koncesionari i aeroportit ka dështuar për garantimin e parametrave të sigurisë fizike duke shkelur ligjet që janë përcaktuar nga vendi jonë si dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil.
Ministrja nënvizoi se në perimetrin e sigurisë të aeroportit do të vendoden efektivë të Policisë Ushtarake dhe batalioni special i forcave të Armatosura.
“Ngjarja që ndodhi dje në aeroportin e Rinasit ishte një ngjarje shumë e rëndë. I bashkohem shqetësimit të qytetarëve dhe kolegëve që një ngjarje e tillë nuk mund të ndodhë në një zonë të rëndësisë së veçantë. Ajo që tashmë dihet nga hetimet është se mekanizmat e sigurisë që janë në përgjegjësinë e kompanisë kineze koncesionare të aeroportit kanë dështuar tërësisht. Koncesionari ka dështuar të përmbushë përgjegjësinë e tij për garantimin e parametrave të sigurisë fizike dhe nuk ka zbatuar standardet e detyruara të sigurisë që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil.
Kjo është një shkelje e papërgjegjshme, por edhe e rëndë e legjislacionit shqiptar, për të cilën shpresoj dhe besoj që përgjegjësitë penale do jenë konkrete. Kjo situatë kërkon ndërhyrje urgjente sepse nuk mund të lejojmë që të cenohet as siguria e qytetarëve dhe as imazhi i vendit. Për këto arsye në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për të garantuar sigurinë e aeroportit kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza”, të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe të batalionit special të Forcave të Armatosura. Kjo është një praktikë që zbatohet sot, thuajse në çdo qytet evropian, ku njësi forcash të armatosura vendosen në mbështetje të kolegëve të tyre me qëllimin e garantimit të objekteve të sigurisë së lartë dhe sigurisë së qytetarëve.
Po ashtu, duke qenë që në një distancë fare të shkurtër nga aeroporti i Rinasit ndodhet edhe Komanda Ajrore e Forcave të Armatosura, kam udhëruar që edhe Policia Ushtarake të dislokohet në këtë komandë, duke ju bashkuar kështu Policisë së Shtetit për ta mbështetur atë në garantimin e sigurisë së aeroportit. Dua t’i garantoj të gjithë qytetarët që siguria e tyre është prioriteti ynë kryesor dhe askush nuk duhet të vërë në dyshim vendosmërinë tonë për të bërë gjithçka që duhet për ta garantuar atë”, ”, tha Xhaçka./abcnews.al