PDK-ja nuk është lëkundur nga qëndrimet e kaluara, ndërsa LDK-ja ka treguar një vullnet më të madh se herave të kaluara për ta tejkaluar krizën.
Kështu i ka cilësuar ministri i jashtëm i Kosovës Glauk Konjufca bisedimet mes subjekteve politike.
Sipas Konjufcës, takimet e fundit mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, patën një natyrë tjetër diskutimi, andaj kjo i ka bërë optimistë se një zgjidhje mund të gjendet së shpejti.
“U pa se këtë herë kishte një interesim të një natyre tjetër nga ai që pamë në muajt e kaluar dhe prej zgjedhjeve të dhjetorit. Duket se vullneti i partive, kësaj radhe, për të mos shkuar në zgjedhje është më i sinqertë.”
Ai shtoi se për këtë arsye u zhvilluan edhe takimet me PDK-në dhe LDK-në, ndërsa AAK-ja nuk e pranoi ftesën për takim.
“Sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës, përshtypja jonë është se aty, përkundër herëve të kaluara, kësaj radhe ka vullnet më të madh për ta tejkaluar këtë moment në të cilin ndodhet Kosova. Ka një gatishmëri më të lartë për bashkëpunim nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe unë mendoj se opsionet që dalin në tavolinë për arritjen e një marrëveshjeje janë në përpjesëtim me vullnetin. Sa më i madh të jetë vullneti politik, sa më shumë gatishmëri për të bashkëpunuar të ketë, aq më shumë rritet numri i opsioneve për të gjetur zgjidhje, për pozicionet e ndryshme dhe për përgjegjësitë e ndryshme se si do të ndahen ato.”
VV përmes Konjufcës akuzoi opozitën për zgjedhjet e qershorit, të tretat e përgjithshme brenda dy vitesh.
Seanca konstituive është thirrur më 6 gusht, ndërsa pas saj kuvendi ka 60 ditë kohë për të zgjedhur kreun e ri të shtetit.



