Vulin kërkon demarkacionin e kufirit mes Serbisë dhe Kosovës

schedule16:10 / 22/07/2018

Ministri serb i Mbrojtjes kërkon një zgjidhje kompromisi dhe demarkacionin e kufirit me Kosovën. Sipas Vulin, kjo do të pengojë planin e Shqipërisë së Madhe.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, nënvizon se për Serbinë një zgjidhje kompromisi me Kosovën është “demarkacioni dhe ndalimi i përhapjes së Shqipërisë së Madhe”. Në një intervistë për gazetën “Kurir”, ai ka thënë se pret që Prishtina t’i vazhdojë provokimet dhe përpjekjet për të ndërprerë dialogun.

“Ata e dinë se negociatat me Vuçiçin nuk janë të mira për ta, dhe këtë e pranojnë me vështirësi”, është shprehur Vulin.

I pyetur se si as pas gjashtë muajsh nga vrasja Oliver Ivanoviç, nuk ka ndonjë rezultat nga hetuesia, ai tha se “Prishtinës dhe një pjese të madhe të komunitetit ndërkombëtar u leverdis që të mos arrihet deri tek zgjidhja e rastit”.

“Do të doja të kishim kontroll të plotë që do të na mundësonte zgjidhjen e krimit, por nuk e kemi,  prandaj mundësitë tona janë limituar”, tha Vulin, duke shtuar se “Beogradi nuk do të ndalojë kërkimet për vrasësit e Ivanoviç”.

Ndër të tjera, duke përmenduar armatosjen e ushtrisë me avionë luftarakë, Vulin paralajmëroi se është i gatshëm të mbrojë Serbinë dhe serbët në çdo kohë, ku do që ata jetojnë./abcnews.al