Vuçiç: Samiti i Parisit nuk do ndodhë, shqiptarët nuk janë të gatshëm për bisedime

schedule15:26 - 20 Qershor, 2019

schedule 15:26 - 20 Qershor, 2019

Samiti i Parisit nuk do të zhvillohet. Është kjo deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiç i cili arsyetoi këtë mendim me faktin se shqiptarët nuk janë të gatshëm për bisedime.

Presidenti serb Aleksandër Vuçic deklaroi se është i sigurtë se takimi në Paris nuk do të zhvillohet. Kreu i shtetit serb theksoi se sipas tij shqiptarët nuk janë të gatshëm për të folur për ndonjë gjë të rëndësishme.

Ai tha gjithashtu se Serbia ka vepruar në mënyrë konstruktive dhe serioze por që nuk do të hyjë në një dialog i cili vë si kusht përfundimtar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Mbajtja në fuqi e taksës sipas tij është një nga dëshmitë që Prishtina nuk dëshiron dialog dhe se dëshiron të menaxhohet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe askush tjetër. Mediat në Kosovë raportojnë se Vuçiç këmbëngul se kjo është reale dhe gjermanët e francezët e kanë kuptuar këtë mesazh.

Takimi i Parisit do të zhvillohet vetëm nëse shqiptarët do të veprojnë seriozisht, përfundoi Vucic duke shtuar se presidenti francez Emmanuel Macron do të vizitojë Beogradin brenda një muaji./ABC News Albania 24/7