Vritet një nga sulmuesit e grupit të armatosur në veri të Kosovës

schedule14:39 - 24 Shtator, 2023

schedule 14:39 - 24 Shtator, 2023

Policia e Kosovës ka konfirmuar se është vrarë njëri nga sulmuesit në veri. Në njoftimin për mediat, thuhet se grupet kriminale po vazhdojnë sulmet ndaj policisë, dhe në kundërpërgjigje, është vrarë një sulmues.

“Situata në Veri të vendit, konkretisht në zonën e fshatit Banjska vazhdon të jetë e tensionuar, grupet kriminale kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në terren, të cilat edhe përkundër sulmeve ndaj tyre po vazhdojnë angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë, në interes të qetësimit të situatës, ofrimit të sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë.

Sulmuesit profesional në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së.

Njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale, ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë”, njofton policia e Kosovës.

Për shkaqe sigurie janë mbyllur për qarkullim dy vendkalimet kufitare në veri në Jarinje dhe Bërnjak. Në orët e para të mëngjesit u vra një polic ndërsa një tjetër u plagos pas sulmit të armatosur ndaj makinës së tyre./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!