Vrasja e teknikut të kondicionerëve, vetëdorëzohet në polici Albano Kusi

schedule16:03 - 15 Dhjetor, 2019

schedule 16:03 - 15 Dhjetor, 2019

Është vetëdorëzuar në polici Albano Kusi, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e teknikut të kondicionerit në Tiranë, Indrit Çelaj.

Albano Kusi akuzohet si bashkëpunëtorë i Griseldo Kusit, në vrasjen e teknikut të kondicionerëve, Indrit Çelaj.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 22 gusht të këtij viti, në vilën e Kusëve, ku viktima ishte punëtor.

Vrasja ndodhi  pas një sherri banal për vendosjen e një kondicioneri, ndërsa krimi është munduar të fshihej.

Dy vëllezërit Kusi nuk u arrestuan por kanë zgjedhur të vetëdorëzohen. Albano Kusi  u shpall në kërkim nën akuzën e “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Më herët në datë 12 nëntor është vetëdorëzuar po në të njëjtën mënyrë edhe vëllai i Albanos, Griseldo Kusi.

Gazetari Andi Qosja ka raportuar për abcnews.al, se Albano Kusi ditën e martë do të njihet me masën e sigurisë “arrest në burg”, e dhënë në mungesë ndaj tij, më datë 25 gusht, 3 ditë pas ekzekutimit të Indrit Çelës.

Persona të tjerë nën hetim për këtë ngjarje janë : Edmond Sula, Ferdinand Bakalli dhe Luan Caka të cilët akuzohen për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Nga organet hetimore sipas gazetarit Andi Qosja, njoftohet se ende nuk është zbardhur se cili ka qenë personi që ka qëlluar mbi Indrit Çelen.

Ndërkohë policia ka njoftuar ditën e sotme për vetëdorëzimin në Drejtorinë  e Policisë së Tiranës të Albano Kusit.

Njoftimi i policisë:

“Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në rrugën “Muhamed Gjollesha”, si rezultat i kontrolleve të pandërprera të ushtruara në ambientet të ndryshme e banesa, dhe përdorimit të metodave proaktive, si dhe pas negociatave me avokatin dhe familjarët, është bërë e mundur që në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë të vetë dorëzohet shtetasi në kërkim Albano Kusi

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, bënë ekzekutimin e urdhërit të ndalimit të lëshuar nga Prokurori si dhe të vendimit të Gjykatës së Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë e cila ka vendosur masën e sigurisë Arrest në Burg, për shtetasin :

Albano Kusi, 28 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Tiranë,

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në datë 25.08.2019, ka dërguar urdhërin e për ekzekutimin e vendimit penal të datës 25.08.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest ne burg”, për shtetasin Albano Kusi për Veprat Penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” e kryer në bashkëpunim.

Shtetasi Albano Kusi, në datë 22.08.2019, rreth orës 11.00, në rrugën Muhamet Gjollesha, Tiranë, në ambientet e katit të parë të godinës tre katëshe në pronësi të shtetasit Bujar Kusi, ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, në lidhje me vrasjen me armë zjarri të shtetasit I. Ç.

Materialet në ngarkim të shtetasit Albano Kusi, i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë për veprat penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” e kryer në bashkëpunim”, njofton policia./abcnews.al