Vrasja e shqiptarit ndodhi në komisariatin ku u formua celula e Agimit të Artë

schedule21:16 - 7 Dhjetor, 2018

schedule21:16 - 7 Dhjetor, 2018

Të ftuar në pjesën e dytë të kësaj puntate në “Provokacija” ishin Erinda Ballanca dhe Aulon Kalaja. Dokumentari i Kalasë për Pëllumb Marnikollajn, i cili vdiq në Greqi ishte tema kryesore e diskutimit. Gazetari tregoi arsyet pse kishte nisur një investigim për këtë çështje.

“Ajo që më shtyu për të investiguar ishte deklarata e thatë e policisë e dalë me kohë vonesë, rreth 15 ditë pas ngjarjes me datën 18 Gusht e cila thonte që pasi i komunikuam Pëllumb Marnikollajt një akuzë të re, ai u hodh nga kati i katërt i komisariatit të policisë Ano Patisia. Më vonë e kanë rregulluar dhe thonë që u hodh nga kati i dytë”, tha ai.

Kalaja tha se një ndër ekspertët më të mirë shqiptar është shprehur se plagët nuk lidhen me hedhjen nga lartësia.

“Unë kam marrë edhe një ekspert të pavarur zotin Bardhyl Çipi që është një nga më të mirët në Shqipëri dhe shprehet për dokumentarin tim dhe thotë se plagët në trupin e Marnikollajt nuk lidhen me hedhjen nga lartësia. Ka pasur dhunë dhe tortura. Ai nuk e përjashtonte hedhjen nga lartësia, por ka ndodhur pasi është torturuar apo u ka ngelur në dorë në komisariat”, u shpreh  ai.

Gazetari ka bërë pjesë të dokumentarit edhe një aktiviste greke, e cila ka treguar së në komisariati ku gjeti vdekjen Pëllumb Marnikollaj është formuar celula e parë e grupit ekstremist grek Agimi i Artë.

“Unë kam marrë dhe një shkrimtare greke Dhrona Hronopulu, e cila është aktiviste e të drejtave të njeriut dhe thotë se në këtë komisariat ku është vrarë Marnikollaj është formuar celula e parë e Agimit të Artë. Dhe ajo off records më ka konfirmuar se njerëz me uniformë policie me motora dhe makina shpërndajnë fletëpalosje të Agimit të Artë”, tha ai.

Dokumentari i Aulon Kalasë mund të shihet në Youtube, por ai paralajmëroi se ka pamje të rënda të trupit të Pëllumb Marnikollajt dhe për këtë i është dashur të merrte një vendim.

“Më është dashur të marr një vendim, të cilin nuk është se e kam marrë unë, por në bashkëpunim me familjen e kemi marrë. Për ata është më e rëndë se unë jam gazetar nuk është se rënda pas skupit për të nxjerrë këtë foto, megjithëse unë i gjeta vetë në një mënyrë gazetareske. Ka qenë një vendim i vështirë. Nuk kam një qëndrim nëse kam bërë mirë apo keq. Nuk jam i sigurtë për këtë”, u shpreh Kalaja.

Ndërkohë sipas Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, kjo çështje duhej hetuar më thellë nga autoritetet greke. Ajo tha gjithashtu se ambasada shqiptare në Athinë nuk është sjellë siç duhet me këtë rast.

“Rasti konkret, kur unë kam parë ato foto që janë evidente dhe autoevidente që përjashtojnë mundësinë e vetëvrasjes dhe në momentin që përjashtohet mundësia e vetëvrasjes si shkaku kryesor dhe ka shenja të tjera dhune duhet të shkojmë pak më thellë”.

“Në gjykimin tim sjellja e ambasadës shqiptare në Athinë në atë kohë nuk ka qenë sjellja e duhur dhe ka një pretendim nga familja shumë të qenësishëm, që policia ka njoftuar ambasadën, për këtë rast që ka pasur një vdekje të një personi brenda policisë, dhe do duhej që menjëherë ambasada të njoftonte familjarët”, tha Ballanca./abcnews.al