“Vrasja e policit, këmbanë alarmi”, Rama: Komuniteti euroatlantik të ulë me forcë Kosovën dhe Serbinë në tryezën e dialogut

schedule12:31 - 24 Shtator, 2023

schedule 12:31 - 24 Shtator, 2023

Kryeministri Edi Rama thekson se vrasja e policit në verit të Kosovës mëngjesin e së dielës është një këmbanë alarmi për përshkallëzimin e situatës në veri të vendit. Kreu i qeverisë thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të ulë menjëherë dhe pa kthim në tryezën e dialogut Kosovën dhe Serbinë.

Në postimin në rrjete sociale, ai thekson gjithashtu nevojën e organizimit të një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen e BE-së dhe SHBA-ve por gjithashtu edhe marrjen e masave të menjëhershme me KFOR-in për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës pas kësaj ngjarjeje të rëndë.

Reagimi i kryeministrit Rama:

Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë.

Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!