Vrasja e kryekomisarit Cuku/ 10 vjet burg Mikel Shallarit

schedule14:29 - 5 Qershor, 2018

schedule 14:29 - 5 Qershor, 2018

Gjykata për Krimet e Rënda shpalli fajtor Mikel Shallarin për vrasjen e ish-shefit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Shallari  u kthye në të penduar të drejtësisë e për këtë shkak u dënua përfundimisht me vetem 10 vite burg.

Ekzekutimi i ish-shefit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, në 8 prill 2017 në hyjen e pallatit të tij, i kushtoi vetëm 10 vite burg autorit.

Mikel Shallari, 24 vjeçari nga Kuçova që pranoi autorësinë e vrasjes së ish-oficerit të policisë i shpëtoi një dënimi të rëndë për shkak se u bë bashkëpunëtor i drejtësisë.

Gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Miliana Muça, miratoi të martën  akt-marrëveshjen e nënshkruar mes prokurorisë dhe Mikel Shallarit për praninim e fajësisë dhe caktimin e dënimit. Sipas marrëveshjes, Shallari shpallej i fajshëm për akuzën e “vrasjes së punonjësit të policisë”, në bashkëpunim dhe për “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe dënohej përfundimisht me 10 vjet burg.

Për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, pranimit të autorësisë, dorëzimit të armëve të përdorura në vrasje dhe identifikimi i ndërmjetësit dhe porositësit të vrasjes së Cukut, Shallari shpëtoi përfundimisht nga një dënim që në kushte normale shkon nga 30 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Referuar akt-marrëveshjes në miratuar nga Gjykata, një kopje e të cilës u sigurua nga “ABC News” për ekzekutimin e kryekomisarit Cuku, Mikel Shallarit i ishte premtuar një pagesë prej 20 mijë euro nga Bledar Jambellit. Ndërmjetës mes tyre ka qenë Kristaq Leci, kushëri i Shallarit. Përveç pagesës ata i kishin premtuar 24 vjeçarit edhe sistemin në Gjermani. Shallari ka pranuar dhe pasi është njohur me një foto të Artan Cukut ka vëzhguar për disa ditë lëvizjet e tij, vendin ku parkonte mjetin para se të shkonte në banesë. Përpjekja e parë për vrasjen është bërë një ditë para ngjarjes, ku ekzekutor do të ishte Kristaq Leci, por ai është tërhequr në momentet e fundit. Mbrëmjen tjetër vrasja është realizuar nga Mikel Shallari. Babai i dy fëmijëve të mitur, ish-drejtues i lartë në strukturat e Policisë së Shtetit u la i pajetë në hyrjen e pallatit.

Pas ngjarjes Shallari ka marrë vetëm një shumë prej 2 mijë euro dhe disa shuma të vogla nga 200-300 euro të dërguara nga Leci e Jambelli nga jashtë Shqipërisë. Sipas rrëfimit të Shallarit, Jambelli kishte dëshiruara vrajen e Cukut pasi pretendonte se e kishte arrestuar me pa të drejtë si të dyshuar për një vrasje të ndodhur në Vlorë në vitin 2012. Në lidhje me këtë ngjarje Jambelli kishte fituar pafajësi nga gjykata. Aktualisht Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci janë shpallur në kërkim ndërkombëtarë për përfshirjen e tyre në vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku. Hetimi ndaj tyre vazhdon në një dosje të veccuar nga ajo e Shallarit./abcnews.al