Vrasja e Ivanoviç, Mogherini bisedon me Thaçin dhe Vuçiç

schedule15:12 - 16 Janar, 2018

schedule 15:12 - 16 Janar, 2018

Gjatë një bisede telefonike me presidentinn e Kosovës Thaçi dhe atë serb Vuçiç, shefja për politika të jashtme, Mogherini, kërkoi që ngjarja të zbardhet sa më shpejt. Rusia dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Delaui, dënoi aktin, në një kohë që mediat ndërkombëtare paralajmërojnë tensione.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, bisedoi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçic dhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pas vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviç, në veri të Mitrovicës. Gjatë bisedës telefonike ajo dënoi fuqishëm vrasjen dhe shprehu ngushëllime për familjen dhe miqtë e tij. Mogherini shtoi se autoritetet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë nuk do t’i kursejnë përpjekjet për t’i gjetur autorët dhe për t’i vënë ata përpara drejtësisë. Në fund të bisedës ajo bëri apel që të gjitha palët të ruajnë qetësinë.
Vrasjen e liderit të Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviç, e dënoi ashpër edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë me anë të një deklarate për media. Ambasadori amerikan, Greg Delauie, i bëri apel institucioneve kosovare të drejtësisë të zbardhin sa më shpejt ngarjen. Ambasada amerikane ftoi palët që në këtë situatë të ndjeshme të përmbahen nga gjuha e rrezikshme.

Në një deklaratë të lëshuar për vrasjen e Ivanoviç, ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë “dënon fuqishëm këtë akt të neveritshëm”. Moska nënvizon se ky akt mund të çojë në rritjen e “një atmosfere terrori” dhe ringjalljen e “konfliktit ndëretnik në rajon”.
Ndërkohë mediat e huaja në raportimin e tyre për vrasjen e politikanit serb Ivanoviç paralajmëruan për tensione në Kosovë.
Associated Press cilësoi Ivanovic si njërin ndër politikanët më kryesor në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
BBC në raportimin e saj shkruan se mëngjesin e së martës në veri të Mitrovicës është vrarë personi që konsiderohej si një nga liderët më të moderuar serb.
Edhe Reuters transmetoi lajmin për vrasjen e liderit të Iniciativës qytetare “Liri, demokracia, drejtësia”, duke theksuar se në shenjë proteste delegacioni i Beogradit braktisi dialogun teknik me Prishtinën në Bruksel.

Agjencia ruse TASS shkruan se një numër i madh njerëzish u mblodhën para selisë së partisë dhe se policia ka bllokuar zonën.
Lajmin për vrasjen e Ivanoviç e kanë pasqyruar dhe britanikët si Independent e Telegraph./abcnews.al